Si do të procedojë PD? Berisha thirrje deputetëve: Shkoni takoni zgjedhësit tuaj…

Shpërndaje

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar, Sali Berisha tha se ka një debat të ligjshëm sesi do të procedojë PD, pas vendimit të marrë një ditë më parë nga Gjykata e Apelit, që ktheu për rigjykim në Shkallë të Parë, çështjen e vulës dhe logos. Sipas Berishës, opozita është më e fortë se kurrë ndaj ai i bëri thirrje demokratëve të dënojnë, sipas tij, aktin e Edi Ramës për të konfiskuar vulën e PD-së.

“Ka një debat të ligjshëm se, si do të procedojë PD-ja në këto rrethana të krijuara, cila do të jetë qëndrimi i saj, qoftë gjatë zgjedhjeve, qoftë për zgjedhjet, ndaj qeverisë dhe përpjekje të tjera të veglave të Ramës, që me vulën e Ramës të mendojnë se ne mund të shantazhohemi. Është një moment ky për çdo demokrate e demokrat, të dënojë aktin e tyre të shëmtuar, jo vetëm ndaj PD-së, por të shëmtuar ndaj çdo shqiptari që beson në lirinë dhe pluralizmin. Vendimi i Edi Ramës për të marrë vulën dhe flamurin e PD-së për llogari të Alibashës dhe Lulzim Bravës ka ngjallur një neveri të madhe tek të gjithë qytetarët shqiptarë. Është një vendim që merret vetëm në diktatura, një vendim që nuk e merr kurrë një vend i lirë, është një akt antikushtetues, antidemokratik për të përjashtuar opozitën nga zgjedhjet. Por opozita është më e fortë se kurrë. Ndaj me këtë rast, unë i bëj thirrje çdo demokrati, demokrateje që mund të ketë patur edhe dyshimin, kundërshtinë apo lëkundjen më të vogël, të dënojë aktin e Edi Ramës për të konfiskuar vulën e PD-së. Të dënojë vetëposhtërimin e veglave të tij, Basha-Brava të cilët dëshmojnë se janë skllevër të aferave të tyre dhe për këtë shkak nuk njohin asnjë lloj kufiri në aktet e vetëposhtërimit të tyre”.

Një thirrje e kishte edhe për deputetët demokratë.

PD mirëpret me shumë kënaqësi kontributin dhe mbështetjen e çdo deputeti të kësaj partie, përveç binomit Basha-Brava, të çdo anëtari të kësaj partie, sikundër thekson se as me Ramën, as me veglat e tij, as nga veglat e tij nuk mund të shantazhohet kurrë. Janë të mjerë ata që mendojnë se me plaçkën e Edi Ramës mund të sulmojnë, intimidojnë apo mund të bëjnë presion ndaj PD-së. Gjithçka do të vendosë elektorati shqiptar. Por të gjithë ata të cilët nuk gjejnë forca të dënojnë këtë akt të pashembullt në historinë e një vendi të lirë, i këshilloj të gjejnë forca të shkojnë të takojnë elektoratin e atyre, të dëgjojnë fjalët e atyre që i kanë votuar. Ndoshta edhe të ju kërkojnë ndjesë, edhe të sqarohen me ta. Jam i bindur se ky do të ishte një akt që do t’i ndihmonte ata për të gjetur rrugën e të vërtetës”./tvklan.al

Shpërndaje