Shqiptarët duan të ikin sërish, aplikimet për azil në gusht tejkalojnë nivelet e para pandemisë…

Shpërndaje

Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian shënuan një rritje të shpejtë në muajt e verës, duke tejkaluar dhe nivelet e para pandemisë.

Sipas të dhënave nga EASO, zyra europiane e azilantëve, aplikimet për azil në muajin gusht arritën në mbi 1400, me një rritje prej 46% në krahasim me korrikun dhe më shumë se dyfishi në raport me muajin qershor.

Në gusht, aplikimet ishin më të larta dhe se muajt e fundit përpara se të fillonte pandemia, dhjetor 2019 dhe janar e shkurt 2020. (shiko grafikun: Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në BE, sipas muajve, janar 2019-gusht 2021)

Në gusht 2021, rreth 1200 ishin aplikime të reja dhe rreth 230 ishin riaplikime.

Në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, shqiptarët mbajnë rekord për numrin e aplikimeve në gusht, duke rezultuar gati katër herë më të larta sesa shteti i dytë pas nesh, që është Maqedonia e Veriut. (shiko grafikun: Aplikimet për azil nga rajoni në shtetet e BE-së, gusht 2021)

Cikli i emigrimit, i nisur që pas viteve ’90 nuk po njeh ngadalësim, përkundrazi ai është përshpejtuar sërish që pas vitit 2015. Të dhëna të tjera të Eurostat bëjnë të ditur se që nga janari i vitit 2008 deri në korrik 2021 janë rreth 234 mijë shqiptarë që kanë kërkuar gjithsej azil në një nga vendet e Bashkimit Europian (BE).

Sipas viteve, numri më i madh i aplikimeve për mbrojtje ndërkombëtare (azil) është shënuar në vitin 2016, me gati 69 mijë, ku gati 80% kishin destinacion Gjermaninë. Vitet e mëvonshme, aplikimet u përgjysmuan, ndërsa në 2019-n u shënua një tendencë rritëse e lehtë. (shiko grafikun: Kërkesat për azil në BE nga shtetas shqiptarë, sipas viteve).

Në 2020-n, pandemia i frenoi përkohësisht aplikimet, për shkak të karantinave dhe kufizimeve të udhëtimeve, por nuk i ndali tërësisht.

Ndërsa në verën e këtij viti u konstatua sërish rritje e kërkesave për azil, duke arritur nivelet e para pandemisë.

Krahas kërkesave për azil, që në pjesën më të madhe, mbi 90%, refuzohen për shkak se Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta, rrugët për të ikur janë të shumta. Po sipas Eurostat, që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000. Më pas fluksi erdhi në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013. Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit, që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mban rekordin për numrin e shtetasve të saj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një shtet të Bashkimit Europian. Për të njëjtën periudhë (2008-2020) kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 426 mijë serbë, 337 mijë boshnjakë, 285 mijë shtetas të Kosovës, 195 mijë nga Maqedonia e Veriut dhe më pak se 20 mijë nga Mali i Zi.

Në raport me popullsinë, diferenca është edhe më e lartë. Gati 25% e popullsisë shqiptare (të vitit 2020) tashmë jeton e punon në një nga vendet e Bashkimit Europian. Vendi i dyte pas nesh është Kosova (15.4%), e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (10.3%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (6.2) dhe Mali i Zi (3.3%).

Shpërndaje