Sekretariati i Komunitetit të Energjisë konstatoi se Shqipëria është vendi me përdorimin më të lartë të karburanteve si burime primare të energjisë.
Prezantimi i mundësisë së përdorimit të energjive të rinovueshme në këtë sektor sipas objektivave mbetet ende larg. Në një raport të dedikuar për tranzicionin e energjisë në 6 vendet e Ballkanit vihet theksi në objektivat që duhet të arrihen sipas marrëveshjeve të nënshkruara dhe direktivave të përafruara.
“Duke qenë një burim i rëndësishëm i shkarkimeve, sektori i transportit duhet të luajë një rol të rëndësishëm në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet për të arritur neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050.
Transporti konsumon një pjesë të madhe të energjisë së përdorur në rajon. Në Shqipëri, ajo zë pjesën më të lartë të konsumit të energjisë primare , 39%, dhe përdor pothuajse aq energji sa sektorët rezidencialë dhe industrialë sëbashku, të ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 38% dhe Mali i Zi me 35%. Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë në nivelin e 29%, ndërsa transporti në Serbi konsumon 25% të energjisë primare.
Transporti rrugor është deri tani më dominuesi në të gjithë vendet e Ballkanin Perëndimor, që ndiqet nga kontribuues të papërfillshëm si hekurudhat dhe transporti ujor në vetëm disa vende të ËB6. Kjo reflektohet në strukturën e karburanteve, me naftën dhe produktet e naftës që janë pothuajse të vetmet karburante të përdorura në rajon” thuhet në dokument.
I njëjti nënvizon se pavarësisht se kanë një detyrim për të arritur objektivin e vitit 2020 prej 10% energji e rinovueshme në transport, asnjë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor bëri ndonjë përparim domethënës nga shifra 0 për qind. Më e përparuar është Serbia, me 1,2% të totalit të energjisë në transport që vjen nga burimet e rinovueshme. Kjo lidhet me një kontribut të lartë të hekurudhës së elektrifikuar në transportin publik si dhe prodhimin e saj nga burimet e rinovueshme.
“Shqipëria është pala e vetme mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me sasi të konsiderueshme të biokarburanteve të përdorura në transportin rrugor. Sidoqoftë, ato nuk mund të llogariten për objektivin pasi vendi nuk ka zbatuar kriteret e qëndrueshmërisë dhe skemën e verifikimit, siç kërkohet nga Direktiva e Energjisë së Rinovueshme 28/2009 / KE.
Viti 2021 mund të jetë një vit që ndryshon lojën. Arritja e niveleve ambicioze të 2030, të përcaktuara tashmë në Planet Kombëtare të Energjisë dhe Klimës të zhvilluara nga disa palë të Ballkanit Perëndimor, nuk do të jetë e mundur pa trajtuar emetimet në sektorin e transportit në terma të strategjive të transportit publik dhe prezantimin e karburanteve të reja dhe teknologjive. Nënshkrimi i Deklaratës së Sofjes në 2020 dhe theksi i saj në trajtimin e emetimeve të transportit, në përputhje me standardet teknike të BE dhe lëvizshmërinë urbane të qëndrueshme është një hap përpara premtues” nënvizon Sekretariati./Monitor/