Duke filluar nga muaji maj deri në muajin gusht Shqipëri do të marrë 145 mijë doza vaksinash BioNTech/Pfizer të financuara nga Bashkimi Europian.
“Solidariteti i Ekipit Evropa në veprim: 145.000 doza vaksinash të financuara nga BE-ja dhe të ndara me ndihmën e Austrisë do t’i dhurohen Shqipërisë nga fillimi i majit deri në gusht. Nga mekanizmi i BE-së për ndarjen e vaksinave, i shpallur në fillim të vitit, përfiton Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, me 70 milionë, duke u dhënë përparësi punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe kategorive të cenueshme.
Krenar që BE-ja qëndron pranë popullit shqiptar me pajisje mjekësore, mbrojtje sociale, ndihmë makro-financiare, ndërsa tani edhe me vaksina, me një angazhim të përgjithshëm prej më shumë se 230 milionë eurosh.”, deklaroi Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca.
Transferimi i vaksinave në Shqipëri do të bëhet me ndihmë të Austrisë.
“Shumë i kënaqur që Austria dhe Komisioni Evropian kanë lehtësuar transferimin e vaksinave BioNTech / Pfizer në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Është shprehje e solidaritetit evropian dhe tregon se BE-ja kujdeset për partnerët tanë në këtë rajon, e ardhmja e të cilëve është qartazi në BE”, tha Ambasadori austriak në Shqipëri Christian Steiner.