Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë masash për mbarëvajtjen e ndeshjes që do të zhvillohet sot mes Shqipërisë dhe Anglisë. Bizneset që operojnë në zonë do të mbyllen disa minuta para startit të sfidës, ndërkaq, të bllokuara do të jenë edhe rrugët përrreth stadiumit “Air Albania”, pasi aty do të kalojnë autobusët e dy kombëtareve.
Policia e Shtetit nuk do të ketë shumë punë për mbarëvajtjen në ambientet e stadiumit, pasi ky takim do luhet pa tifozë, përkundër kërkesave të vazhdueshme nga Federata Shqiptare e Futbollit kundrejt qeverisë për lejimin e tyre.
Fillimisht ishte parashikuar që në impiant të futeshin rreth 5 mijë persona, por kjo kërkesë u hodh poshtë dhe në stadium nuk do të ketë prani të tifozëve. Ky takim është i vlefshëm për grupin I kualifikues të Botërorit, Katar 2022.