Shpuza publikon librin e ri: Shkruaj në gegnisht se kjo është gjuha e nanës, gjuha e vendlindjes

Shpërndaje

Medina Pasoma

Delikatesën e të shkruarit në dialektin gegë dhe frymëzimet e saja poetike tanimë i ka kurorëzuar në librin e saj të radhës.

Poetja shkodrane, Rozafa Shpuza ka publikuar veprën ‘’Nana i qindiste kryq dimnat’’, libër i cili edhe nëpërmjet kopertinës ka ardhë i qëndisur, shkruan KultPlus.

Shpuza është një nga poetet, vargu i së cilës është i mbështjellë me plotë simbolika. Gjuha e saj e të shprehurit dhe këndvështrimet artistike i ka tejet të  veçanta. Nëpërmjet takimit të lapsit me letër, ajo realizon dy qëllime në të njëjtën kohë. Në njërën anë e shprazë brendinë, duke i sjell lexuesve letërsi të mirëfilltë, e në anën tjetër e ruan dialektin të cilën e do gjerë në fanatizëm, gegnishten e bukur.

Pas një periudhe 4 vjeçare pa botim por, jo edhe pa frymëzim, përpara artdashësve të saj ajo shfaqet me vargjet poetike të librit të saj të katërt, të cilës i ka falur emrin ‘’Nana i qindiste kryq dimnat’’. Anipse botimi i kësaj vepre u shty për shkak të pandemisë, që ndaloi rrjedhën normale të jetës në rrafsh global, sërish ajo është optimiste, duke e vlerësuar ardhjen e librit për KultPlus si ‘’një dhuratë për Vitin e ri’’.

‘’Ndjesia ime është që arti dhe letërsia janë të vetmet emocione pozitive që depërtojnë thellë në shpirt e prandaj në asnjë mënyrë nuk duhet të cungohen apo të ndërpriten’’, nis rrëfimin e saj Shpuza, duke aluduar te gjendja e krijuar.

Poezitë përbrenda veprës ‘’Nana i qindiste kryq dimnat’’ janë ndarë në tre cikle, teksa redaktore e saj është poetja Ilire Zajmi. Frymëzimet e Rozafës kanë lindur nga vendi prej ku vjen, andaj çdo gjë që është kthyer në poetikë nga ana e saj, ka një realitet jetësor në përditshmëri.

’Ka shumë Shkodër në këtë libër, shumë detaje e rite, që do ta bajnë lexuesin me u ndi personazh i këtyre vargjeve dhe ky ka kenë qëllimi im, me sjellë atë çka po fashitet dhe që e ban vendlindjen teme unike’’, thekson Rozafa Shpuza.

Përderisa poezitë i ka përplot simbolika, ajo ka vendosur që edhe takimin e parë të lexuesit me librin ta bëj të tillë. Rozafa tregon se e tëra çka ka dashur ta përcjell te publiku ka marrë banim në titullin, i cili ka lindur nga një poezi me po këtë emër brenda librit.

‘’Në traditën qytetse, gratë qëndisnin me punë kryq motive gjeometrike që krijonin figura gati surreale. Kujtoj se nana ime qindiste netëve të dimnit me pejna të shkepun nga xhupat e vjetër, dhe si padashas krejt jeta ime përshkohet në atë gjylpanë, e cila qindisë papra kujtimet e fëminisë, misteret e qytetit, personazhet më tipikë të tij, përditën që përkundet prajshëm nëpër rrugicat me dyer kabahe’’, sqaron autorja e librit ‘’Nana i qindiste kryq dimnat’’.

Ajo të gjitha ndjesitë i ka hedhur në vargje dhe beson se shumëkush do ta gjej veten në to. Mirëpo, nënën si protagoniste kryesore të jetërave të shumë njerëzve, ajo ka vendosur ta lë në ballinë, nëpërmjet titullit. Por, prapë ky libër është ‘’i vogël’’ për të qenë dedikim për nënën e autores.

‘’E di se silueta e saj luhatet në çdo faqe libri, por nuk mund të tham se ky libër asht nji dedikim për të. Ka me m’u dashtë edhe shumë punë e përpjekje me arrit që një ditë me ba diçka që t’i afrohet naltësisë së figurës së nanës’’, shprehet Rozafa Shpuza.

Meqë libri ka aromë shkodrane, edhe dedikimi mund të tingëllojë se është për kohanikët e Shpuzës nga ky vend.

’Ndoshta ky libër u kushtohet bashkëmoshatarëve të mi, atyne që qeshën e qanë bashkë me mu rrugëve të Shkodrës’’, thotë ajo.

Mirëpo, frymëzimi i saj nuk mbetet vetëm në kornizat e Shkodrës. Ajo shkon përtej, duke e bërë që në çdo cak të gjej një muzë.

‘’Mundem me ndi një melodi qytetse, me pa një album të vjetër fotografish, me kenë tu pi me miq birra apo edhe kanga e bulkthit apo gugatjet e pëllumbave munden me ma grishë shpirtin’’, shpjegon autorja për frymëzimet e saja.

Ashtu siç i vijnë frymëzimet krejt në mënyrë spontane, edhe momentet kur shkruan i ka tejet natyrale.

’Poezitë ulem e i shkruej krejt shkujdesun, në një tavolinë lokali, në sediljen e një autobuzi kur udhëtoj, apo në seancat e gjata plenare ku më duhet me kenë prezente’’, rrëfen Rozafa.

Shpuza beson se librat e saj shërbejnë për përcjelljen e mesazhit të ruajtjes dhe kultivimit të dialektit gegë ndër breza.

‘’Krijimtaria është ndjesia më e thellë e shpirtit të artistit, kësisoj unë shkruaj në gegnisht se kjo është gjuha e nanës, e vendlindjes, e poetëve që i dhanë letërsisë shqipe vlera unike. Është mëkat me deviju nga gjuha me të cilën i shkruan vargjet e tyne gjigandët e letërsisë shqipe, si Mjeda, Fishta, Shiroka e shumë e shumë të tjerë’’, vlerëson Shpuza.

Në fund poetja shkodrane konkludon se për të poezia është mënyra më e brishtë për t’u sjellë kënaqësi estetike dhe shpirtërore lexuesve. /KultPlus.com

Shpërndaje