Sistemi shqiptar është relativisht fiktiv: ka inflacion të madh te notat dhe kjo pashmangshmërisht e tërheq nxënësin për nga poshtë, nga ana tjetër është e vështirë të gjesh një mësues të mirë, tha Dr. Ermal Hasimja, administrator në shkollën jopublike “Ernest Koliqi”
Profesor, a mund të rendisni disa nga arsyet pse ka rënie të aftësive të 15-vjeçarëve shqiptarë në matematikë në raport me vlerësimet e mëparshme të testimit PISA
Janë disa dhe rëndojnë njëra-tjetrën:
Shoqëria kërkon nota, jo dije.
Sistemi shqiptar është relativisht fiktiv: ka inflacion të madh te notat dhe kjo pashmangshmërisht e tërheq nxënësin për nga poshtë, sepse ul presionin për të mësuar.
Fatkeqësisht shkollat, por edhe shteti e kanë shumë të vështirë të përballojnë presionin e prindërve për nota të mira fiktive.
Është gjithnjë e më e vështirë të gjesh mësues të mirë. Të rinjtë e sotëm e shohin profesionin e mësuesit me përbuzje, sepse i është bjerrë statusi social. Çështja e pagave është e rëndësishme, por dytësore.
Mësuesit janë të pambrojtur përballë prindit. Praktikisht standardet e sistemit arsimor në Shqipëri i përcaktojnë prindërit përmes presionit për notën. Në përballjen me prindin, mësuesi është vetëm.
Nëse një mësues vendos sot të zbatojë sistem vlerësimi real, ai/ajo do të zhvlerësohet totalisht nga notat e kollajshme të vendosura në të njëjtën shkollë, në shkolla të tjera, ose në provimet shtetërore.
Çfarë mjetesh duhen aplikuar për të përmirësuar cilësinë e nxënës?
Fokusimi te çështja e nivelit të investimit në arsim (si përqindje e PBB-së) tregon se vetë shoqëria nuk e ka kuptuar fare situatën në arsim. Paratë ndihmojnë, por nuk janë faktori vendimtar.
Jo gjithmonë vendet më të pasura janë në krye të klasifikimit.
Gjithashtu gjetja e justifikimeve për situatën tregon se shmanget shikimi i ndershëm i problemit dhe rrjedhimisht, as nuk jemi në rrugën e duhur për ta zgjidhur.
Mund ta shohim edhe ndryshe, për shembull duke krahasuar vendin tonë me Singaporin që mban vendin e parë. Dallimi i parë madhor është ai mes kërkesës së prindërve te ne dhe atje.
Në Singapor ka një presion të madh nga prindi te shkolla për të pasur efikasitet në mësimdhënie. Kërkohen dije të nivelit të lartë, sepse shoqëria është konkurruese.
Te ne kërkohet më tepër nota se dija dhe kjo vjen kryesisht sepse shoqëria nuk e vlerëson konkurrencën dhe meritokracinë, por të kundërtën: rrugën e shpejtë, njohjet, hilet, etj.
Modelet kulturore që promovojmë janë të gabuara. Politikanët i përshtaten kësaj kërkese që vjen nga shoqëria, sepse synojnë votat. Rrjedhimisht niveli arsimor në Shqipëri do të bjerë edhe më poshtë.