“Shkodra, qyteti që për gati gjysëm shekulli bëri rezistencë dhe që u komunistizua më pak se të tjerët, nuk e meriton…”! Refleksione, pas vizitës së Prof. Sami Repishtit në vendlindjen e tij…

Nga Eugjen Merlika

                                                          – LËNGIMI I SHKODRËS –

 “Shkodrën plakë e gjeta edhe më të lodhur, me zërin e humbur e shpresat e fikura. Shkodra dukej sikur jetonte agoninë e shuarjes së saj, të një fundi që le mbrapa vetëm kujtime për ata që e deshën dhe e duan…”!

Kjo pjesëz, nga një shkrim i të nderuarit profesor Sami Repishtit, të ngjall njëherësh trishtim e zemërim, habi e dhimbje. Duket sikur ky shkrim bën fjalë për një epokë të largët, një çast të zhytur në terrin e kohëve, kur turmat e fiseve barbare kthenin në tym Evropën romake, duke shkatërruar një qytetërim të plakur, që kishte humbur aftësinë të mbrohej e të luftonte.

Një qytet pa shpresa është si një njeri pa shpresa, një qenie që humbet buzëqeshjen, gjallërinë e syve, që endet si një skelet pa formë në një hapësirë të pacaktuar e që të ngjall trishtim. “Shpresa është e fundit që vdes”, thotë një proverb italian, por në rastin tonë, në rastin e Shkodrës, vdekja duket se ka pllakosur më parë shpresat. Ndjen dhimbje kur mendon se një qyteti i janë fikur shpresat, aq më tepër kur me atë qytet kanë qenë lidhur shpresat e një populli të tërë.

Në netë të gjata të errësirës së kohëve ai qytet, me humorin e tij, mbante gjallë shpirtrat e shqiptarëve, të cilëve historia e shorti ju rezervuan pak, shumë pak çaste të bukura, në të cilat të mund të ëndërrohej. Një nga këto çaste ishte 14 janari 1990, kur demonstrata e parë e madhe e Shkodrës loce, lajmëronte agimin e afërt të një kohe pa diktaturë.

Sot, mbas trembëdhjetë vitesh, një hapësirë kohe e papërfillshme për moshën e qytetit më në zë të historisë së vendit të Shqipeve, në fillimin e një qindvjetori që premton paqe e harmoni, në vend të luftërave e urrejtjes të trashëguara nga paraardhësit e tij, Shkodra lëngon. Ajo, qyteti i historisë e i legjendës, i shqiptarizmit e i kulturës, i njerëzve gazmorë e të çiltër, është sot e topitur e në pritje.

Duket se era e re e globalizimit i ka kaluar anash e, nuk don që t’a përfshijë. E dëshmojnë këtë udhët e trotuaret e prishura, pellgjet e ujit kur bie shi, mungesa e korrentit, gangrena e pashërueshme e Shqipërisë “moderne”, turmat e të rinjve pa punë që bredhin rrugëve të saj, ftohtësia e mungesa e besimit ndaj Shtetit, politikës e përfaqësuesve të tyre.

Shkodra ndihet e braktisur, e lënë mënjanë, e harruar edhe se ishte mësuar të kishte kryet e vendit në të gjitha sofrat e mëdha të historisë së shqiptarëve. E kishte fituar këtë nderim në sajë të përkushtimit të bijve të saj ndaj çështjes së Kombit e formimit të vetëdijes së tij e meritave të tyre, në kulturën e këtij populli.

Cilido që njeh sado pak të shkuarën e këtij qyteti, madhështinë e shkëlqimin e tij në kohë të ndryshme të historisë si kryeqendër mbretërish, pashallëqesh e vilajetesh që, shtriheshin deri në zemër të Ballkanit, dritarja nga hynte sado pak qytetërimi Perëndimor, habitet se si kjo periudhë, që solli demokracinë mbas rrëzimit të diktaturës së fundit komuniste në Evropë, qe aq e kursyer me të.

Habia kthehet shpejt në zemërim e ky shtohet kur shikon ndryshimet mes Shkodrës e bregdetit jugor të Shqipërisë ose mes saj e kryeqytetit. Është e vërtetë se në këtë sistem ekonomik që po mundohemi të sendërtojmë është nisma vetjake ajo që duhet t’i paraprijë zhvillimit ekonomik, është ajo që duhet të krijojë pasurinë, një pjesë të së cilës e administron Shteti që duhet të mendojë njësoj për të gjithë qytetarët e tij.

Tek ne Shteti aktual, pra Qeveria socialiste, ka vepruar në bazë të një mendësie të trashëguar “klasore”, duke derdhur paratë në ato pjesë të vendit, ndaj të cilave ishte në borxh për pushtetin që ato i kishin dhënë në atë vit të mbrapshtë 1997. Zemërimi i kalon përmasat e zakonshme, kur kuptohet haptas se Shkodra po paguan pasojat e shpirtit të saj demokratik, të dashurisë për lirinë, të anti-komunizmit të saj të njohur.

Populli i Shkodrës, i cili gjatë gjysëm shekulli komunizmi zyrtar, qe ai që u komunistizua më pak se të tjerët, që i bëri qëndresë diktaturës e ligjeve të saj më shumë se të tjerët, nuk e meriton një trajtim të tillë. Ky fakt duhet të shqetësojë të gjithë ata që e duan Shqipërinë demokratike një vend të lirë e të zhvilluar, sepse agonia e sotme e Shkodrës është pasqyrë e asaj të Shqipërisë, që nuk mund të njëjtësohet vetëm me pamjet që bujarisht na ofron TV shqiptar, për të na bindur se gjithçka shkon në rregull, sepse takohemi me përfaqësuesit e ndryshëm të Evropës apo SHBA-së, se gjoja po luftojmë trafiqet e se kemi marrë pjesë në koalicionin kundër Sadamit.

 “Mos e vrisni Shkodrën time!” lutet me zë të lartë, nga thellësia e zemrës së lënduar, zoti Repishti. Të lënduara nuk janë vetëm zemrat e shkodranëve, të tilla duhet të ndihen dhe ato të gjithë shqiptarëve dashamirës të përparimit të Vendit të tyre. Për më tepër ajo thirrje duhet të prekë qeveritarët e sotëm, por edhe përfaqësuesit e institucioneve të Evropës, në të cilën duam të hyjmë. Apo në heshtje dhe ata mendojnë se anti-komunizmi duhet të ketë një çmim për t’u paguar ende sot?

Shkodra sot më sjell ndërmend Berlinin, e rrethuar me mure e tela me gjemba, dyzet vite më parë. Ishte ai avanposti i Botës së lirë në trupin e “Perandorisë të së keqes”, e si i tillë i dënuar nga kjo e fundit me një veçim të detyruar nga ajo Botë. Atëherë një President i ri e guximtar i asaj Bote, para gjysëm milioni berlinezësh pohonte se, ishte krenar të thonte: “Jam qytetar berlinez”.

Sot më duket e udhës të thuhet: “Jena të gjithë shkodranë”. Memorie.al