Shkodra përballet me COVID-19, Voltana Ademi në Euronews Albania: Vatrat po shtohen në institucione, të rritet numri i testimeve!

Shpërndaje

Qytetit i Shkodrës vijon të përballet me shtim të numrit të te prekurve nga pandemia globale COVID-19. Për këtë situatë, Euronews Albania zhvilloi një bisedë të drejtpërdrejtë me kryebashkiaken e qytetit verior, Voltana Ademin.

Ajo tha se vatrat po shtohen në disa institucione, siç është spitali, policia dhe ndërmarrja e fasonerisë që ka qenë aktive gjatë këtyre ditëve. Zonja Ademi theksoi se ka kërkuar që të shtohet numri i testimeve, pasi vetëm kështu mund të specifikohet realisht shkalla e rrezikshmërisë në këtë qytet, i cili për fat të keq është kthyer në një problematikë të shtuar. 

“Dje kemi 12 raste të reja, që janë në fakt raste që janë raste që lidhen më së shumti në Spitalin e Shkodrës, në fasoneri dhe pastaj janë të tjera që kanë lidhje me familje që tashmë janë verifikuar me COVID-19. Kjo lidhet me prezencën e të infektuarve në shtim në institucione, duke filluar së pari në spital, me policinë dhe në institucione apo subjekte, ku kanë funksionuar më së fundmi siç janë fasoneritë dhe është subjekti i dytë që ka këtë problematikë. Ka një numër të rritur të testimeve. Shkodra po vërteton se nëse ne do të rrisim testimet, do të kemi të indentifikuar të prekur, sikurse është realiteti. Që dua të them që pavarësisht se kemi shkuar 50, 54, 48 në ditë, në çdo ditë kemi një rritje proporcionale me të njejtin ritëm, të atyre që vërtetohen, pikërisht në disa vatra që janë institucionet më së shumti dhe po e theksoj këtë disa herë:që duhet të këtë një vëmendje për një ndryshim strategjie pune, testimi dhe diagnostikimi në Shkodër. Ne kemi thënë në përgjithësi rritjen e testimeve. Ne nuk i kemi kushtet ndoshta që t’i testojmë nëvivel komunitar të gjithë dhe kjo është e kuptueshme, por unë kam kërkuar me anë të një shkrese drejtuar institucioneve për nevojën për testime që është domosdoshmëri. Nëse kjo do të bëhet për atë që janë më të rriskuarit dhe që u duhet të dalin në rrugë për të kryer shërbimin ndaj të tjerëve dhe apo dhe për familjen, mendoj se kështu mund të kemi ezauruar një nevojë të domosdoshme. Kjo do të ndihmoj edhe për një strategji daljeje nga situata. Duhet të ndjekim shembullin e vendeve që kanë ndjekur këtë strategji”, tha ajo.

Përhapja e virusit në Shkodër detyroi autoritetet shtetërore të ndërmarrin veprime konkrete. Këshilli i Ministrave shkarkoi nga detyra prefektin e qarkut, Çesk Millja, I cili u shigjetua nga qeveria se nuk ka treguar një lidership të duhur për të monitoruar gjendjen në Shkodër. Pas kësaj, qeveria shqiptare ngarkoi me punë të posaçme zëvendësministrin e Brendshme, Besfort Lamallari, për të monitoruar situatën në këtë qark.

Shpërndaje