
Nga Zenepe Dibra
Për ju politikanë!
Situatë zgjedhore, takime, mbledhje, premtime, zotime që po na bëhet kryeti lamsh. Populli asht në dilemë ke të besojmë, kujt tja japim voten, a do i mbajnë premtimet, a do angazhohen në përmbushjen e tyre. Secila parti na thot ti besojmë asaj se do i përmbushim të gjitha këto që premtojnë. Ma të zorshme e kanë intelektualët, specialistët, mjeshtërit e profesioneve të ndryshme që vuajnë indiferencën e pushteteve dhe anashkalimin e problemeve serioze e që ato shtrojnë dhe mbas zgjedhjeve nuk i përmbahen. Kjo sepse mendimi intelektual, shpesh bjen ndesh interesave të pushteteve, se vërejtjet nuk ju duken të rëndësishme, se sugjerimet hidhen në kosh dhe prandaj vendi nuk ecen në drejtimn e duhur. Dhe pika më nevralgjike e problemeve tona asht se akoma nuk kemi krijuar shtet dhe asnjë parti nuk thotë a do krijomë shtet, ku të gjithë të jemi të barabartë para ligjit, ku drejtësia të mos jetë politike dhe kur të vlerësohet intelektuli, zotësia , aftësia, mendimi reformator dhe novator.
Unë mbaj mend grupin e inxhinierëve specialistë të inergjitikës këtu në Shkodër që duke shtruar me qindra vërejtje në fushen e energjitikës, diskutimi u mbetej brenda grupit, në kafene sepse nga fundi as ju kërkonin mendim, as i thirrnin në mbledhje. Bashkëshorti im i ndjerë, ing E. Dibra, drejtuesi i tre hidrocentraleve të Ulzës, Shkopetit dhe të Hidrocentralit Vau i Dejës u ka shkruar tre letra kryeministrave të vendit të dy partive me shqetësime për problemet energjike të Shkodrës sidomos për nënstacionin e Bushatit dhe Hidrocentralin e Ashtës dhe nuk mori kurrë asnjë përgjigje. Këtyre specialistëve nuk u interesonte partia, apo kush asht në pushtet por u interesonte situata energjitike në Shkodër dhe në mbarë vendin. Ai arriti ngaqë nuk dinte se kujt ti drejtohesh të kërkonte ndihmen edhe të një ambasadori amerikan duke menduar se ështe mbi palët. Ai vdiq me një letër të shkruar jo bukur por e mbushur me shumë probleme dhe sugjerime që kërkonin zgjidhje për Hidrocentralin e Fierzës, dhe ne ja gjetëm pasi ai ndërroi jetë.
Po kështu edhe mendimi inxhinjerik në fushen e ndërtimeve nuk na është marrë kurrë në konsideratë. Probleme shtrojnë mjeshtrit e sportit, arsimit, intelektualët e kulturës, shkrimtarët, piktorët, urbanistëtë, mjekët, etj. por mendimi i tyre në vesh të shurdhët. Unë si inxhiniere ndërtimi kam marrë eksperiencë nga mjeshtërit e ndërtimet, sepse në fushen e ndërtimeve ato dinin më shumë se unë, ato kishin praktiken më të madhe se unë dhe kjo ishte mënyra më e mirë për të ecur përpara. Dhe kështu pastaj lind indiferenca. Populli pyet e shqetësohet pse rrijnë indiferent specialistët dhe intelektualët?
Unë nuk jam me atë që edhe pse pushtetet nuk vlerësojnë, intelektuali duhet të luftojë deri sa ato të ndërgjegjësohen. Por kur pushteti vendos të kundërten asaj që propozojnë specialistët atëherë infektohen më një sëmundje të tmerrshme atë të indiferentizmit dhe tek to sundon mendimi:Cfarë më duhet mua, mos po na dëmtojnë fëmijët, pse të flasim kot kur fjala nuk na xen vend. Në qytetin tim nuk ka një studim për monumentet, ku dhe si duhet të vendosen dhe vlerësimet përkatëse te figurave me kontribute kombëtare, është bërë plani urbanistik i qytetit dhe kemi frikë se ai do cënohet duke shkelur çdo ligj e rregull,. Unë vuaj që qyteti im të ketë një bibliotekë moderne nga që kam kaluar shumë kohë në biblioteken e qytetit, dhe ku asht vendi kur ruhen libra ekzemplarë që nuk ndodhen në Biblioteken Kombëtare, dua që Shkodra të ketë një Muzeum më të madh që kostumet etnografike, apo pikturat e famshme të mos dëmtohen nga myku i magazinave, shkodranët vuajnë për rrugën Shkodër- Lezhë e cila në pikun e verës zgjat rrugen për disa orë, ne skemi akoma një terminal autobuzësh, treni akoma spo vihet në funksion dhe për mua të tjerat që bahen jo se nuk kanë rëndësi, por një parim filozofik thotë që në hallken e shumë problemeve zgjidhja fillon nga hallka kryesore.Është një eksperiencë 35 vjeçare që Shkodra vuan nenvleftësimin kulturor të kryeqëndrës së Veriut e cila ka humbur shkelqimin e mëparshëm edhe nga nënvleftësimi që i kanë bërë pushtetet . Dhe kjo është gjynah i madh!
Prandaj ju politikanë që ne ju zgjedhim keni përgjegjësinë e madhe për këtë qytet që nuk është e rëndësishme se po merrni voten tonë por si do i shërbeni këtij komuniteti, çfarë do bëni për te, sa do ta ngrini zanin në parlament. Edhe nëqoftëse partia juaj nuk ju dëgjon për shqetësimet e qytetit , delni kundra partive tuaja së Shkodra asht me e rëndësishme se çdo gja që ju jep dinjitet, krenari dhe lavdi.
Vendet janë zhvilluar nga mendimet, sugjerimet, verejtjet e specialistëve të çdo fushe sepse pushtetet i kanë dëgjuar, kanë marrë parasysh mendimin intelektual.
Tash pyes kush do realizojë andrrat e mija dhe të shumë shkodranëve për ta parë atë “kryezonjen e vendit”?