Shkodra mirëpret Botërorin U18 në tenis: Garë, mikpritje dhe promovim turistik…

Shpërndaje

Prej disa ditësh, “Adriatik Tennis Park”, kompleksi modern sportiv në periferi të Shkodrës, përgjatë aksit Shkodër–Hani i Hotit, është kthyer në epiqendër të sportit ndërkombëtar, duke mirëpritur Turneun Botëror të Tenisit për moshat U18.

Rreth 120 sportistë nga 32 shtete të ndryshme, së bashku me familjarët dhe shoqëruesit e tyre, ndodhen në Shkodër, jo vetëm për garat që zhvillohen në këtë kompleks të standardeve të larta – i vetmi i këtij niveli në rajon – por edhe për të shijuar bukuritë dhe atraksionet që ofron qyteti.

Blearta Ukëhaxhaj nga “Shkodra Tennis”, një prej organizatoreve të aktivitetit, thotë se pjesëmarrësit janë mjaft të kënaqur me kushtet dhe mikpritjen e shkodranëve.

Nga ana sportive, gara është tepër e fortë për shkak të nivelit të lartë të tenistëve, me theks të veçantë te përfaqësuesit e Kinës, Anglisë dhe shumë vendeve të tjera.

Në këtë aktivitet prestigjioz, po marrin pjesë edhe disa prej emrave më premtues të tenisit shkodran si Ana Tereza Guli, Lora Bushati dhe Enki Hyseni, të cilat po përballen denjësisht me rivale me më shumë eksperiencë.

Shpërndaje