Shkodra humbi Majlindën, Majlinda fitoi Shkodrën…

Shpërndaje

Nga Nertil Jole

Në tre shkrime të mia gjatë ditëve të kaluara jam përpjekur të artikuloj disa qëndrime dhe arsyetime, pse Shkodrës këtë herë i duhej një fitore e re dhe jo një humbje e përsëritur.

Shumë njerëz ndoshta mendojnë se Shkodra ka fituar me vullnetin e shprehur në 6 Mars. Unë i respektoj ata, por nuk pajtohem me vizionin e tyre.

Për sa kohë kemi zgjedhur demokracinë si sistem bashkëjetese, padyshim është legjitime të kemi të drejtën për të zgjedhur apo besuar edhe në alternativën më të pamerituar.

Këtë zgjedhje ne shqiptarët kemi ditur ta bëjmë në periudha kohore të ndryshme të tranzicionit tonë 30-vjeçar, por mesa duket shkodranët kanë ditur ta bëjnë me një kokëfortësi e këmbëngulje të pashoqe, ndryshe nga qytete të tjera të Shqipërisë që kanë po aq traditë e histori të spikatur, si për shembull Korça.

Dua të parashtroj disa vlerësime personale pse në gjykimin tim Shkodra këtë herë humbi më shumë se çdo herë tjetër.

Sepse këtë herë Shkodra humbi momentin historik më të përshtatshëm, që në rrugëtimin e tre dekadave të testonte vetëm një herë shijen e vërtetë të ndryshimeve të shumëpritura. Qoftë edhe për vetëm 300 ditë, si parakusht për një mandat të plotë bashkiak.

Shkodra duke rizgjedhur të shkuarën e pahijshme, vleresoi me pak të ardhmen e saj qe meriton të jetë më e prospertë.

Ajo me shume gjasë shkoi përsëri ne drejtim te kundërt me atë që aspiron qytetaria shkodrane, duke gati asgjesuar shpresën se a do mundet ky qytet ndonjëherë, më herët sesa vonë, të jetë në gjendje të mos i pluhërosë apo lërë në mëshirë të fatit akoma më gjatë xhevahiret dhe vlerat që fsheh?!

Shkodra humbi sepse zëvendësoi zhvillimin e qëndrueshëm komunitar me degradimin e përgjithshëm urban e mjedisor të provuar për shumë gjatë.

Shkodranët i humbën Shkodrës dhe vetes të drejtën për të jetuar dhe rritur fëmijët në një qytet më të pastër e më të prirur drejt zhvillimit modern.

Shkodra humbi edhe këtë herë sepse nuk arriti dot të ngrejë lart vlerat e historisë dhe traditës së saj, por pati më të rëndësishme nostalgjinë politike që i është kthyer në vasalitet per fatin e saj.

Qyteti humbi edhe njëherë mundësinë për të kuptuar diferencën në ofrimin e shërbimeve nga institucioni i bashkisë deri sot, me atë që duhet garantuar prej saj.

Pra nuk zgjodhën njeriun që do iu shërbente pa asnjë anësi politike, por pasardhësin e atyre që çdo shqetësim qytetar e kanë diferencuar vetëm politikisht.

Shkodra humbi shansin e së tashmes dhe shtyu më tej të nesërmen e saj më të mirë duke votëbesuar të shkuarën e shpallur “non-grata”, edhe ndërkombëtarësisht.

Ndaj, Shkodra nuk humbi thjesht Majlindën, që është një zonjë e nderuar dhe qytetare me cilësi elitare. Më së pari Shkodra humbi fuqinë e vetes për të mos e lënë fatin e saj në interesa të politikes se vjeter.

Por çfarë fitoi Majlinda nga Shkodra që humbi edhe këtë herë?

Ajo fitoi shumë më fuqishëm Shkodrën dhe respektin e të gjithëve pa përjashtim.

Madje, edhe të atyre që nuk e mbeshtetën siç duhej dhe siç e meritonte. Sigurisht jo për atë vetë, por për Shkodrën.

Shpërndaje