”Shkodra është kthyer në shqetësim”, Zëri i Amerikës: Janë 3-fishuar rastet me COVID-19 në 10 ditët e fundit, shkak moszbatimi i masave dhe mungesa e bashkëpunimit

Shpërndaje

Në Shqipëri, rastet e reja me koronavirus rregjistruan një rritje, për shkak të shtimit të ndjeshëm të të prekurve në qytetin e Shkodrës, me 13 persona të rinj, nga 21 në total që u konfirmuan në 24 orët e fundit.

Ndërsa ditët e fundit ishte vënë re një tkurrje e rasteve të reja, Shkodra është kthyer në një shqetësim për autoritetet, të cilat besojnë se qytetarët nuk po zbatojnë masat e distancimit social dhe po shkelin rregullat e karantinës. Në 10 ditët e fundit të prekurit janë më shumë se trefishuar, duke kapur shifrën e 70 rasteve.

Në të gjithë vendin numërohen deri mesditën e së hënës, 467 të prekur, nga të cilët 221 raste janë vetëm në Tiranë. Kryeqyteti mbetet epiqendra e epidemisë, ku çdo ditë konfirmohen të infektuar të rinj. Përveç Shkodrës, Durrësi dhe Fieri janë dy qytetet e tjera me numër të lartë të prekurish, ndërsa në pjesën tjetër të vendit, rastet mbeten të kufizuara.

Pas katër ditësh në rënie, të dhënat e sotme, flasin për një rritje të lehtë dhe të numrit të të shtruarve, Në dy spitalet e Tiranës janë 52 pacientë. Prej tyre 7 janë në gjendje të kritike, ndërsa në terapi intensive janë dhe 7 të tjerë. “Në Shërbimin infektiv aktualisht janë 41 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. Gjashtë pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre pacientë janë të intubuar”, bëri të ditur drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico. Numri i të shëruarve ka arritur në 232 persona pasi në 24 orët e fundit 15 të prekur rezultuan negative ndaj COVID 19-ës.

Situata në Shkodër

Shtimi i shpejtë i numrit të të prekurve me COVID-19 në Shkodër ka vënë në alarm strukturat shtetërore. Drejtuesë të lartë të policisë së Shtetit dhe të ushtrisë ishin sot në qytet duke inspektuar nga afër situatën në tregjet e qytetit dhe duke u bërë apel qytetarëve që të zbatojnë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Rastet e shtuara të të infektuarve, që e kanë renditur Shkodrën në zonën e dytë të kuqe në Shqipëri, vijnë si pasoje e moszbatimit të masave për distancimin fizik dhe nënvleftesimit të pasojave që sjell infektimi me COVID-19, por edhe mungesës së bashkëpunimit të qytetarëve me strukturat përgjegjese si në nivel vendor, ashtu edhe atë qendror.

Vatrat e para të infektimit në lagjet periferike të qytetit erdhën si pasojë e pjesëmarrjes së një numëri të madh qytetarësh në ceremoni varrimi dhe kujdesit të pakët për të zbatuar distancimin social. Por, përkeqësimi i situatës lidhet edhe me marrjen me shumë vonesë të masave për kontrollin e tregjeve të lira, ku ende situata vazhdon të jetë problematike.Në tregjet e lira të qytetit ishin sot për të inspektuar gjendjen drejtues të lartë të policisë, ushtrisë si dhe kordinatori i qeverisë për Shkodrën, i cili në fundjavë zëvendësoi prefektin e këtij qarku pas shkarkimit nga qeveria.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, tha se situata në Shkodër është pasojë edhe e neglizhencës së qytetarëve: “Nuk është absolutisht pozitive, që çdo ditë në qytetin e Shkodrës, falë edhe neglizhencës së qytetarëve, identifikohen qytetarë, të cilët janë bartës të këtij virusi. Nuk ka pse të vazhdojë kjo situatë në Shkodër. Ne i bëjmë thirrje çdo qytetari që të bëhet pjesë pozitive me kontributin e tij individual për të shëruar dhe kuruar këtë situatë në të cilën ne jemi aktualisht”.

Ndërsa Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Bardhyl Kollcaku, tha se prania e forcave të ushtrisë në qytet duhet t’i ndërgjegjësojë qytetarët për situatën e krijuar në Shkodër. “Shtimi i rasteve në Shkodër është një këmbanë alarmi dhe duhet të shërbejë për sensibilizimin e të gjithë qytetarët. Por, edhe fakti që shikojmë forcat e armatosura që të jenë në qytet me armatim, tregon se sa e rëndësishme është situata. Është një ngjarje e pazakontë, një situatë e pazakontë që ushtria, forcat e armatosura të jenë në terren. Kjo tregon se sa e rëndësishme dhe e vështirë është situata”, deklaroi general Kollçaku

Për kordinatorin e qeverisë në Shkodër, zv/ministrin e brendshëm Besfort Lamallari, kërkohet bashkëpunim i të gjithë strukturave për tejkalimin e situatës së rënduar të krijuar, pas shtimit të rasteve me COVID-19.

Bashkia e Shkodrës vendosi të hënën pasdite mbylljen e njërit prej tre tregjeve të lira në qytet si masë parandaluese për mospërhapjen e mëtejshme të COVID-19. Masa më të rrepta u morën dhe për aktivitetin në tregun e lirë të Rusit, një tjetër nga tregjet problematike në këtë qytet. Prej kohësh, tregjet e lira të qytetit të Shkodrës janë kthyer në burim infeksioni, shqetësim ky i shprehur edhe nga vetë qytetarët dhe tregtarët e këtij qyteti.

Ndërkohë, drejtuesit vendor të Bashkisë së Shkodrës, por edhe ish deputetë të opozitës nga ky qarku, prej disa javësh kanë kërkuar shtimin e numrit të testeve për të përcaktuar situatën reale të përhapjes së COVID-19 në qytet. Por, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se numri i testeve është i konsiderueshëm dhe në përputhje me testet që realizohen edhe në zona të tjera të vendit.

Pasdite në spitalin rajonal të Shkodrës, një 59 vjeçar, me inicialet M.S., nga Puka, i cili ndodhej në gjendje kome, ka ndërruar jetë. Një ditë më parë ai kishte rezultuar pozitiv ndaj COVID 19-ës por sipas Ministrisë së Shëndetësisë ai “ka rezultuar bartës, por pa simptoma”, duke saktësuar se dhe vdekja e tij ka ardhur “si pasojë e hemorragjisë cerebrale (aksident cerebral vascular) dhe jo si pasojë e COVID 19-ës”.

Qytetari nga Puka dyshohet të jetë një ndër 4 pacientët të cilët janë infektuar nga një infermiere e Spitalit rajonal të Shkodrës, e konfirmuar me koronavirus në 24 orët e fundit e që rezulton të jetë infektuar në komunitet. Edhe tre të tjerët janë në gjendje të rëndë shëndetësore “për shkak të patologjive për të cilat po trajtohen, por pa simptoma përsa i takon COVID 19-ës”, shpjegoi ministria në një deklaratë të shpërndarë pasdite. Të tre janë transferuar gjatë ditës në Tiranë.

Ndërsa deri më tani, personali mjekësor i prekur, 47 raste, ose 10 përqind e totalit të të infektuarve, e ka marrë virusin nga pacientët. Ndërkohë që rasti i Shkodrës, flet për të kundërtën, duke ngritur dyshime dhe për respektimin e rregullave nga vetë personeli shëndetësor.

Mbërrijnë mjete të reja mbrojtëse për stafet mjekësore

Ndërsa për një kohë të gjatë autoritetet u gjendën nën akuzë se nuk kishin garantuar mjetet e duhura mbrojtëse për personelin shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se “kanë mbërritur në Shqipëri edhe 8 ton mjete te mbrojtjes personale për stafet mjekësore, të financuara nga qeveria shqiptare në kuadër të masave për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID 19-a”, duke shtuar se kjo sasi i shtohet “mjeteve të mbrojtjes personale për stafet mjekësore, pas dy furnizimeve të para të porositura nga qeveria shqiptare, prej 15 ton, të cilat kanë mbërritur më herët në vendin tonë”. Ministrja e Shëndetësisë Oerta Manastirliu, deklaroi se “janë 8 ton materiale të mbrojtjes personale, duke filluar nga veshjet, nga syzet, maskat dhe helmetat mbrojtëse, të cilat do të vijojnë të furnizojnë spitalet tona, do të vijojnë të furnizojnë qendrën e urgjencës kombëtare, Institutin e Shëndetit Publik, gjithashtu të gjithë njësitë e kujdesit shëndetësor vendor dhe të gjitha ato struktura, ku personeli përballet në betejën dhe në frontin e parë të luftës kundër COVID-19”, tha Manastirliu.

Zgjatet orari i qarkullimi, policia shton kontrollet

Prej kësaj të hëne oraret e qarkullimit janë zgjatur deri në 17.30, e po kështu dhe periudha e zhvilimit të aktvitetit për njësitë ushqimore, farmacitë dhe bankat. Fundjava e ardhshme do të vijojë të mbetet shtetrrethim i plotë duke nisur nga e premtja. Lehtësimi e masave, po shoqërohet me kontrolle më të rrepta. Policia bëri të ditur sot se përveç patrullave dhe postoblloqeve, ka nisur operimin në terren me drone, për identifikimin e personave që thyejnë karantinën apo orarin e shkeljes së ndalim qarkullimit. “Punonjës policie janë trajnuar për t’i përdorur këto drone në zonat urbane. Dronet kanë aftësi të identifikojnë në distancë, tarraca apo rrugica, qytetarë që tentojnë t’u shmangen patrullave policore. Pas kësaj, ndërhyjnë agjentët për të ndaluar shkelësit. Dronet – shpjegoi një njoftim i policisë – kanë aftësi të transmetojnë online komunikimin e agjentit të Policisë tek shkelësi. Gjithashtu, mund të përdoren në kushte errësire, pasi kanë ndriçues, madje edhe kamera termike”.

/VOA

Shpërndaje