Shkodër/ Zhvillohet konferenca e 12-të vjetore e imamëve: “Njeriu, bartës i amanetit!”

Shpërndaje

Paraditën e së shtunës, më 27 janar 2024, në xhaminë Kiras u zhvillua konferenca e 12-të vjetore e imamëve, teologëve dhe thirrësve islamë të Shkodrës, me temë: “Njeriu, bartës i amanetit!”

Referatet e përgatitura nga imamët ishin të larmishme dhe interesante, me tefsire të ajeteve kur’anore, komentime të haditheve profetike dhe tema të tjera fetaro-shkencore, rreth përgjegjësisë dhe amanetit njerëzor, me të cilin Allahu i Madhëruar e ka ngarkuar njeriun në këtë botë.

Në fjalën e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ndër të tjera tha: “Vendi i predikuesit nuk duhet t’i lihet dokujtdo, por atij që zotëron të gjitha cilësitë e meritueshme të një predikuesi. Dekadat e fundit po bëhen përherë e më shumë më të egra për muslimanin shqiptar, thuaj këtu me njeriun mbarë, atë evropian dhe në mbarë botën, duke i afruar atij modele dhe shembuj që nuk janë e as nuk mund të jenë bashkudhëtar me botën e tij, me shpirtin e besimit dhe vlerat e Islamit. Ditë pas dite, shoqëria jonë islame po përballet me një propagandë sa të fshehur, aq të dukshme në thelbin e të cilës është frika ndaj Islamit dhe tendenca për ta paraqitur atë si një fenomen keqbërës e të kobshëm, që për shekuj e shekuj i paska mbërthyer për fyti shqiptarët dhe i cili duhet të çlirohet patjetër nga ky islam e të kthehet në fenë e të parëve, e të kthehet, e të kthehet… çfarë nuk po dëgjojmë e dëgjojmë prej lajthitjeve kolektive aty këtu në trojet tona shqiptare. Por kjo nuk është e vërtetë, është qesharake, është paradoks..!”

Në konferencë u spikat roli i njeriut besimtar dhe musliman në bartjen e amanetit të të qenurit mëkëmbës i Zotit në tokë dhe se njeriu ka përgjegjësinë kryesore në mbarëvajtjen e jetës në tokë.

Në këtë konferencë referuan:

  1. Imam Muhamed Sytari – Tefsir: “Kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në dunja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)” – (TaHa: 123)
  2. Adem Pizga – Komentim i hadithit: “Më i dashuri i njerëzve tek Allahu është më i dobishmi i tyre…”
  3. Anis Agovi – Komentim i hadithit: “Çdonjërit prej jush i tubohet krijimi i tij në barkun e nënës…”
  4. Arben Halluni – Personaliteti njerëzor
  5. Ardit Hoxha – Tefsir: “Unë do të bëj në tokë mëkëmbës!” – (El-Bekare: 3)
  6. Ardit Ulqinaku – Tefsir: “Ne ia prezantuam amanetin qiejve..!” – (El-Ahzab: 72)
  7. Durim Kasemi – Tefsir: “Të pyesin ty për shpirtin!” – (El-Isra: 85)
  8. Ensar Ismajlaj – Tefsir: “Ju kemi bërë popuj e fise, që të njiheni!” – (El-Huxhurat: 13)
  9. Lavdrim Hamja – Humanizmi dhe toleranca e muslimanëve përgjatë historisë
  10. Naim Drijaj – Tefsir: “Njeriu është i ngutshëm!” – (El-Isra: 11)
  11. Samel Haxhija – Rinia në Kur’an dhe në Traditën e Hz. Muhammedit (a.s).

Kjo konferencë ishte e 12-të, të cilin Myftinia Shkodër e organizon me imamët, teologët dhe thirrësit islamë të Shkodrës. Të gjitha referatet e mbajtura në konferencë botohen në një libër të veçantë në mënyrë të zgjeruar.

Myftinia Shkodër, 27 janar 2024

Shpërndaje