Shkodër/ Thyhet me mjete të forta makina e një biznesmeni…

Shpërndaje

Mjeti i një biznesmeni nga Shkodra ka rënë pre e një sulmi.

Makina tip “Tiguan” me targë AA 289 OA ngjyrë e bardhë është sulmuar në fshatin Hot i Ri pjesë e njësisë Rrethina të bashkisë Shkodër.

Mjeti është në pronësi të biznesmenit Nikolin Shqau. Makina ndodhej e parkuar përpara derës së shtëpisë të biznesmenit në Hot të Ri kur disa persona në mënyrë të papritur e kanë goditur mjetin, duke thyer xhamat dhe duke shkaktuar edhe disa dëme të tjera.

Në momentin kur ka ndodhur ngjarja brenda mjetit nuk ndodhej askush ndërsa edhe në rrugë nuk ka patur ndonjë kalimtar të rastit.

Menjëherë përmes një sinjali pronari i mjetit ka kuptuar se diçka ka ndodhur dhe në momentin kur ka dalë jashtë ka parë makinën e dëmtuar.

Menjëherë ka njoftuar policinë vendore të Shkodrës dhe efektivët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet pas kësaj ngjarje kriminale.

Autorët e kësaj ngjarje e kanë goditur mjetin tip “Tiguan” të biznesmenit Shqau me një shufër hekuri duke thyer pjesë përpara ta xhamave por edhe pjesën e pasme.

Më pas atë shufër e kanë hedhur brenda makinës. Ndërkohë në anën e djathtë të mjetit, afër pasqyrës autorët kanë lënë edhe një letër të shkruar, duke i lënë kështu një mesazh pronarit makina e të cilit u dëmtua.

Në letër ishte e paqartë se çfarë shkruhej pasi ishte e palosur por ajo letër bashkë me shufrën e hekurit janë sekustruar nga grupi hetimor i policisë së Shkodrës.

Janë të paqarta arsyet e kësaj ngjarje të ndodhur pasi pronari Nikolin Shqau ka deklaruar se nuk ka konflikte me ndonjë person.

Megjithatë i vetmi dyshim është tek një person i cili i ka kërkuar pronarit Shqau që ta marrë në punë tek bizneset e tij dhe ky i fundit ka refuzuar për një sërë arsyesh, megjithatë është vetëm një prej pistave të mundshme.

Ndërkohë disa metra më tutje ka edhe kamera sigurie të një subjekti duke qenë se mjeti ishte i parkuar në rrugën kryesore të fshatit Hot i Ri.

 Policia vendore e Shkodrës vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar që sulmuan mjetin e biznesmenit Nikolin Shqau./OraNews/

Shpërndaje