Shkodër/ Rama jep porositë e para për Benet Becin: Të votuan me mend, jo me zemër! Do jesh në lupën e qytetarëve…

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama ka dhënë porositë e parë për fituesin e bashkisë Shkodër në zgjedhjet e 14 majit, Benet Beci.

Nga Shkodra, në një takim me grupin e këshilltarëve socialistë të zgjedhur më 14 maj, Rama tha se puna e kryetarit të ri do të jetë në lupën e qytetarëve, pasi i gjithë revolucioni në Shkodër u bë me mend dhe jo me zemrën e shkodranëve, një bastionin historikisht i djathtë.

“Këtë herë kanë votuar me mend. Ta kanë dhënë besimin me mendje dhe jo me zemër. Ata që të japin besimin me mendje do të të vënë lupë Aty ku të japin besimin me zemër mbyllin sytë. Ty nuk të fal njeri. Duhet me bo shumë punë. Kur të hysh në zyrë je vetëm dhe në fund janë vendimet e tua që do marrësh, prandaj do e kesh më të vështirë punën se fushata”, tha Rama.

Një tjetër porosi e kryeministrit ishin edhe punësimet në administratë, ku kërkoi që të mos bëhen punësime partiake, por me meritokraci.

“Kujdes mos largoni gratë. Bëni vlerësim meritokratik” tha Rama, ndërsa shtoi se PS duhet të tregojë në Shkodër punën dhe jo vetëm rotacionin politik.

“Ajo që kam pas merak dhe duhet me pas kujdes me gratë mos i heq apo largu, pse janë me njëri apo tjetrin. Duhet me bo një vlerësim meritokracie dhe vajzat dhe gratë duhen mbrojtur, se për këtë votjnë nuk ka rëndësi. Do kesh shumë ndërhyrje në emër të revolucionit që përmbysi regjimin, por nuk duhet të biesh në presione, duhet të mbash ekuilibër dhe të bashkosh njerëz të zotë”, tha Rama

Në fund Rama kërkoi edhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, për t’i dhënë një tjetër profil Shkodrës.

“Kemi probleme të mëdha për shërbimin, edhe pse një pjesë e llumit është hequr nga dixhitalizimi i shërbimeve. Duhet me i dhënë një tjetër profil të gjithë kësaj pune dhe Beneti ka të gjithë përgjegjësinë kryesore”, u shpreh Rama.

PS do ta drejtojë Shkodrën për herë të parë pas 30 vitesh, ku Benet Beci fitoi me një diferencë mbi 10 mijë vota kundër kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahisë.

Shpërndaje