Shkodër, përkujtohet 110-vjetori i fitores në Luftën e Çanakalasë…

Shpërndaje

Në Shkodër u zhvillua një ceremoni përkujtimore me rastin e 110-vjetorit të fitores në Luftën e Çanakalasë, një nga betejat më të mëdha të Luftës së Parë Botërore. Aktiviteti u organizua nga Ambasada e Turqisë në Shqipëri, ku në lapidarin e Hasan Riza Pashës u vendosën kurora me lule në nderim të kësaj beteje dhe dëshmorëve turq.

Lufta e Çanakalasë (1915-1916) ishte një përballje vendimtare midis Perandorisë Osmane dhe forcave aleate, kryesisht Britanisë dhe Francës, të cilat synonin të pushtonin Ngushticën e Dardaneleve. Kjo betejë përfundoi me një fitore të madhe për osmanët, duke ndaluar avancimin e aleatëve dhe duke pasur një ndikim të rëndësishëm në ecurinë e luftës.

Në këtë betejë morën pjesë edhe mijëra shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane, disa prej të cilëve dhanë jetën në fushëbetejë. Shqiptarët kishin një rol të rëndësishëm, veçanërisht në frontet më të ashpra të luftës, duke treguar trimëri dhe sakrificë.

Përkujtime të tilla synojnë të ruajnë kujtesën historike dhe të nderojnë të gjithë ata që luftuan në këtë betejë vendimtare./RealitetiPost/

Shpërndaje