Data 25 gusht ishte afati i fundit për regjistrimet në klasa të para dhe të dhjeta përmes portalit e-Albania. Drejtori i komanduar i Zyrës Arsimore Shkodër, Anton Deda thotë se as kjo fazë e tretë nuk i plotësoi pritshmëritë në masën 100% për regjistrimet, dhe ende nuk dihet nëse prindërit do të kenë mundësi për regjistrime me anë të një tjetër faze shtesë.
Arsyet e mosregjistrimeve në klasa të para por edhe të dhjeta kanë qenë të shumta duke nisur që nga problemet me sistemin, gjë që detyruan edhe Ministrinë e Arsimit që të hapë regjistrimet në tre faza, e duke vijuar me problematika të tjera siç janë mungesa e saktësimit të adresave apo edhe preferencat për regjistrime në shkolla që nuk janë afër banesës. Deda ka apeluar drejt prindërve, në rast se do të ketë një fazë të katërt të tregohen të vëmendshëm për regjistrimin e fëmijëve, duke mos e lënë për nisje të proçesit shkollor, pasi atëherë do e kenë të pamundur regjistrimin e tyre.