Prej 10 vitesh shtetasja F.D 47 vjeçe është braktisur nga ish-bashkëshorti i saj duke e lënë në mjerim me dy fëmijë të vegjël. 47 vjeçarja në këtë 8 mars vendosi të rrëfejë se si mes skamjes rriti dy fëmijët e saj. Asokohe vajza ishte 3 vjeçe dhe djali vetëm një vjeç. F.D thotë se ish-bashkëshorti i la vetëm dy ditë bukë dhe emigroi duke mos u interesuar asnjëherë më as për gruan dhe as për fëmijët e tij të cilët u rritën në një varfëri të plotë.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 ishte një natë tmerri për 47 vjeçaren e cila njërin prej fëmijëve e harroi brenda banesës në Kurbin por fatmirësisht arriti të dalë vetë. Natën e kaloi vetëm me një batanije ndërsa për disa kohë jetoi në atë ndërtesë të rrënuar.
Pas 6 muajsh emigrim në Itali, 47 vjeçarja nuk gjeti zgjidhje atje dhe u rikthye në Shqipëri duke u vendosur në qytetin e Shkodrës edhe pse në atë moment nuk kishte asnjë qindarkë.
Mes lotësh F.D tregon se kur erdhi në Shkodër nuk mundi as të shoqërojë fëmijët e saj në ditën e parë të shkollës sepse dilte që herët për të punuar.
Vajza është bërë 13 vjeçe dhe djali 11 vjeç por babai nuk i njeh dy fëmijët ndërsa as familjarët e tij nuk kanë asnjë interes thotë 47 vjeçarja.
F.D pas 9 vitesh vuajtje, ka gjetur qetësinë sepse po trajtohet prej një viti nga organizata SOS të cilët i kanë dhënë mbështetje të plotë ashtu si shumë grave dhe vajzave të tjera në vështirësi.
Në këtë 8 mars, kjo nënë që kaloi 9 vite sakrifice e braktisur dhe në luftë për bukën e gojës për dy fëmijët, ka një mesazh për gratë dhe vajzat shqiptare.
Në Shkodër numri i grave dhe vajzave të divorcuara ka njohur një rritje të konsiderueshme vitet e fundit e po ashtu edhe i atyre që janë në vështirësi për shkak të dhunës në familje apo edhe braktisjes nga bashkëshortët.