Shkoder/ Ndërron jetë shkrimtari Xhelal Zaganjori, autori i 20 librave…

Shpërndaje

Është ndarë nga jeta në moshën 85 vjeçare Xhelal Zaganjori, shkrimtar, autor i 20 librave, disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Pavarësisht krijimtarisë së tij, në jo pak raste ai ishte simbol fatkeq i artistëve, që në jo pak raste detyrohen të tregtojnë veprat e tyre rrugëve të qytetit për të mbijetuar.

Shumë media disa vite më parë pasqyroi këtë personazh, i cili detyrohej që me një çantë të mbushur me librat e tij, detyrohej ti shiste rrugëve të qytetit të Shkodrës. Lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e kanë dhënë në rrjetet sociale familjarë të tij. Më poshtë, një fragment nga një shkrim në ShkodraWeb rreth 4 vite më parë.

KUSH ËSHTË XHELAL ZAGANJORI, SHKRIMTARI QË ECËN RRUGËVE?

Çdo ditë në rrugët dhe rrugicat e qytetit të Shkodrës, ky njeri ecën ashtu kokulur, pa u ndjerë dhe pa u vënë re nga të tjerët. Kështu me këtë çantë të thjeshtë plastmase në dorë, ky njeri që realisht bën diferencën nga të tjerët, jo vetëm nga mënyra se si ecën, kështu i heshtur dhe plot mendime por edhe për faktin se është autor i plot 20 librave dhe pakkush e din një fakt të tillë. Madje edhe atëherë kur Xhelali nxjerr nga çanta librin për t’ia shitur lexuesve kudo në rrugë, në lokal, vetëm atëherë kur e pyesin kush është autori, ai me modesti iu përgjigjet: Xhelal Zaganjori dora vetë.

Shkrimtar i cili gjithë jetën e tij e kaloi duke punuar sa në një ndërmarrje në tjetrën dhe duke shkruar libra, vërtetë njerëz të tillë që i japin shoqërisë më shumë se vetes, duket se shoqëria përherë u mbetet borxhlije.

Kështu ka ndodhur duket edhe me këtë shkrimtar të heshtur, fjalë pak e punë shumë, askush nuk kujtohet se si jeton. Dhe a meriton edhe ky një jete si të tjerët dhe ja përsëri Xhelal Zaganjori vazhdon udhëtimin e tij rrugëve te qytetit, natën shkruan e pas botimit ditën i shet librat e tij.

Është lindur më 16 dhjetor të vitit 1938 në qytetin e Shkodrës. Pas 7-vjeçares, ka punuar punëtor në ndërmarrje të ndryshme të qytetit, ndërkohë që ka ndjekur dhe arsimin e mesëm duke marrë edhe maturën.

Me krijimtarinë letrare është lidhur heret. Në vitin 1958 ka botuar tregimin e parë në gazetën “Luftëtari”, ndërsa libri i parë “Kapja e pilotit” i është botuar nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë në vitin 1974, me tematikë nga jeta e fëmijëve vietnamezë. Ky libër pat jehonë të gjërë, u përkthye dhe u shoqërua me botime prej mijëra e mijëra kopjesh në Vietnam , Kore e Kinë./Shkodraweb/

Shpërndaje