Mendimtari islam Salahudin Keftaro është rikthyer në qytetin e Shkodrës për të marrë pjesë në një seminar trajnues 10 javor me imamët e myftinisë së Shkodrës. Mendimtari Keftaro zhvilloi ligjëratën e parë, aktivitete që përkojnë edhe përkujtimin e lindjes së profetit Muhamed.
Në fjalën e tij mendimtari islam kërkoi që imamët dhe thirrësit islam të Shkodrës të jenë siguria për një shoqëri të drejtë e të shëndoshë ndërsa dha edhe disa mesazhe të tjera duke thënë se islami nuk ka asnjë lidhje me ekstremizmin apo terrorizmit dhe bëri një lutje që Siria të çlirohet sa më parë nga lufta.
Myftiu i Shkodrës imam Muhamed Sytari u ndal në disa pika të diskutimit tëmendimtarit Keftaro duke thënë se muslimanët nuk duhet të përfshihen në aktë dhune as në rastet kur të tjerë ironizojnë profetin me karikatura të ndryshme.
Mendimtari islam Keftaro i cili tashmë ka krijuar një lidhje të fortë me qytetin e Shkodrës do të vijojë takimet dhe ligjëratat edhe në ditët e ardhshme për të dhënë mesazhet e tij për imamët dhe thirrësit islam të Shkodrës.