Mbledhja e Asamblesë së Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a. nuk është zhvilluar ditën e sotme. Edhe pse ishte paralajmëruar për në orën 11.00 dhe do të diskutohej për buxhetin e vitit 2020 të shoqërisë aksionare, mbledhja as që ka nisur. Kjo si pasojë e mungesës së këshilltarëve bashkiak të cilët nuk ishin të pranishëm për të plotësuar numrin e duhur.
Në sallë kanë qenë edhe kryebashkiakja Voltana Ademi, administratori i Vllaznisë Suad Lici ndërsa kryetarja e Këshillit Bashkiak Brisela Kadia ka njoftuar shtyrjen e mbledhjes së Asamblesë së Vllaznisë për të martën në orën 12.00.
Zyrtarisht, Kadia ka thënë se mbledhja u shty për të bashkërenduar një mbledhje të Këshillit Bashkiak Shkodër pikërisht ditën e martë, ku pritet edhe prania e Ministrit të Turizmit Blendi Klosi, e më pas, e njëjta trupë, në cilësinë e Asamblesë së Vllaznisë, do të zhvillojë mbledhjen e planifikuar për ditën e sotme.