Shkoder/ Drejtori i ri i policisë e nis me “dorë të hekurt”, aksion për bllokimin…

Shpërndaje

Drejtori i ri i policisë vendore në Shkodër Ervin Hodaj e ka nisur punën e tij ashtu siç zakonisht kanë bërë të gjithë drejtorët e rinj. Hodaj në ditën e dytë të punës si drejtor i policisë së Shkodrës ka urdhëruar kontrolle në rrugët e qytetit për automjetet që mund të jenë në shkelje të ligjit dhe kundërvajtje. Për të treguar dorën e hekurt në ditët e para të punës pas prezantimit të tij më 16 dhjetor si kreu i ri i policisë së Shkodrës, efektivët e rrugores kanë zhvilluar kontrolle të shumta kryesisht në qendër të qytetit duke bllokuar disa automjete që ishin në shkelje ligjore.

Janë të paktën 5 automjete të bllokuara nga policia rrugore e Shkodrës gjatë mbrëmjes së kaluar në qendër të qytetit. Kryesisht policia ka ushtruar kontrolle për automjete që lëvizin me xhama të zinj, apo me mungesë dokumentacioni. Përveç makinave të bllokuara po ashtu policia rrugore ka vendosur edhe një numër të lartë gjobash për të gjithë automjetet e parkuara jo në mënyrën e duhur apo edhe ata që lëvizin në kundërvajtje në rrugët e qytetit.

Ndërkohë këto kontrolle në rrugët e qytetit nga ana e efektivëve do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme në Shkodër. Po ashtu policia përveç kontrolleve në akset kryesore të qytetit do të angazhohet edhe për mbarëvatjen e festave të fundvitit për shkak të shtimit të lëvizjeve për të mos lejuar abuzime nga ana e drejtuesve të mjeteve që mund të bëhen më pas shkak për aksidente rrugore. Drejtori i ri Hodaj pritet që të ndërmarrë edhe masa për goditjen e paligjshmërive dhe grupeve apo individëve kriminal./starplus/

Shpërndaje