Edhe këtë të premte, në qarkun Shkodër është konfirmuar një numër i lartë të infektuarish ditorë nga COVID-19. Ministria e shëndetësisë raporti për 13 raste të reja në Bashkinë Shkodër dhe 3 raste të reja në bashkinë Pukë duke e rritur ndjeshëm numrin total të të prekurve nga koronavirusi.
Rastet e konfirmuara ditën e sotme janë shpërthim komunitar, pra kontakte të personave të tjerë të infektuar më herët. Një pjësë e rasteve të reja janë punonjës të fasonerisë në të cilën pak ditë më parë janë infektuar dy punonjës, ndërkohë që tashmë infeksioni ka prekur edhe punonjësit e tjerë.
Fasoneritë ashtu si shumë institucione shtetërore në Shkodër janë kthyer në një vatër të rrezikshme aktive të COVID-19, pasi pjesa më e madhe e të infektuarve në ditët e fundit janë punonjës të këtyre institucioneve. Në këtë rast, duhet rritur vigjilenca nga ana e qytetarëve të cilët kërkojnë shërbime në këto institucione, qoftë Gjykata e Apelit, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore por jo vetëm.
Deri më tani, sipas përditësimeve të Ministrisë së Shëndetësisë janë aktivë më shumë se 150 persona në bashkinë Shkodër dhe Vau Dejës. 137 persona janë të izoluar në banesa për shkak të gjendjes asimptomatike, ndërsa 45 të tjerë po marrin shërbim të hospitalizuar në Spitalin Infketiv në Tiranë.
Në bashkinë Pukë janë 20 raste aktive, ndërsa në Malësinë e AMdhe mbete vetëm një rast i infektuar. Ndërkohë, pavarësisht se Shkodra renditet e tretë në rang qarku për numrin më të lartë të personave të infektuar nga COVID-19, fatmirësisht ka numrin më të vogël sa i takon fataliteteve.
Deri më tani, pesë është numri i viktimave si shkak i koronavirusit, pjesa më e madhe të moshuar të cilët kanë vuajtur edhe nga sëmundje të tjera shoqeruese.