Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli kete te enjte vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Lezhës, i cili ishte ne veting. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Suela Zhegun dhe anëtar Roland Ilian. Sipas ketij vendimi, Prokurori, Sabri Kastrati, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit do te largohet nga organet e drejtesise.
Gjatë seancës dëgjimore të martën, Kastrati dha shpjegime për barrat e provës dhe gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit. Ai pretendoi se kishte paraqitur shpjegime dhe prova që kundërshtonin bilancet negative të konstatuara për pasurinë, si dhe për gjetjet lidhur me figurën e profesionalizmin.
Sabri Kastrati e nisi karrierën në fillim të viteve ’90 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 1995 dhe në vitin 1998 u largua me kërkesën e tij, pas kthimit nga emigracioni ai u riemërua prokuror në vitin 2005 dhe në 2013-ën u transferua në Prokurorinë e Lezhës, ku dhe e ushtroi funksionin deri në momentin e shkarkimit nga detyra.