Ilir Allkja, mjeku i Urgjencës së QSUT-së që denoncoi mungesën e mjeteve dhe veshjeve mbrojtëse për stafin mjekësor është shkarkuar nga puna. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se Ilir Allkajs i është kërkuar që të mos paraqitet më në punë, ndërkohë që ende nuk i ka shkuar ende një shkresë zyrtare për largimin nga puna.
Ende nuk dihet shkaku i kërkesës për largim nga puna të Allkjas, por ai është bërë pjesë e mediave ditët e fundit për shkak të përplasjes që pati me kryeministrin Edi Rama pasi denoncoi mungesën e mjeteve dhe veshjeve mbrojtëse për stafin mjekësor që po përballon këtë fazë të Covid-19, që ka infektuar 38 persona në Shqipëri.
Rama publikoi një foto të Allkjas me veshje mbrojtëse dhe hodhi poshtë deklaratat e këtij ët fundit. Ndërkohë mjeku u shpreh se ai nuk kishte denoncuar faktin që spitali s’kishte asnjë veshje, por që mjekët e vishnin vetëm në rastet kur dihej që pacienti ishte me koronavirus, ndërkohë që sipas tij duhet vënë në çdo kohë, pasi nuk i dihet.
Pasditen e sotme, mjeku Ilir Allkja, ka hedhur poshtë këshillat e Drejtorit të Urgjencës, Skënder Bratajt. Në një status në Facebook, Allkja shkruan se Brufeni, të cilin Brataj e këshillon për ulje temperature, nuk duhet përdorur nga të infektuar me COVID-19, pasi rëndon gjendjen e tyre shëndetësore.