Biznese të mbyllura dhe pak qytetarë në rrugë që bënin me shpejtësi pazar e riktheheshin në shtëpi. Kjo ishte panorama e Shkodrës këtë të dielë, ditë të tretë të ndalim qarkullimit. Por duket se më shumë se urdhërat shkodranët i izoloi shiu.
Atmosfera ishte ndryshe kudo në Shkodër këtë të dielë. Reshjet e shiut kanë bërë që në rrugë të shohësh pak njerez që lëvizin në këmbë apo me biçikleta, edhe ato shpejtojnë të kryejnë ndonjë blerje e të rikthehen në banesa.
Pjesa më e madhe e bizneseve i kanë ulur qepenat dhe jeta e familjeve shkodrane ka marrë një tjetër rrjedhë, ndryshe nga normaliteti që do të duhej të kishte fundjava.
Qetësinë ja prish qytetit ndonjë mjet i autorizuar që lëviz në rrugë, apo ambulancat dhe policia që janë në krye të detyrës.
16 pika kontrolli me mbi 60 punonjës policie dhe të mbështetur nga forcat e armatosura, po mbikqyrin zbatimin e urdhërit të qeverisë për të shmangur lëvizjet e automjeteve në qytet.
Fatmirësisht deri më tani në këtë qark nuk është raportuar asnjë i prekur me Covid 19, megjithatë thirrjet për të zbatuar masat nuk mungojnë.
Komisioni i Mbrotjes Civile ka terhequr vemendjen për ndërhyrjen e strukturave ligjzbatuese në kontrollin dhe monitorimin e çmimeve si dhe në pastrimim e higjenizimin e rrugeve kryesore e sidomos të vendgrumullimit të mbeturinave.
Në mesnatë edhe Hani i Hotit pas Muriqanit, pritet të ulë traun duke bllokuar çdo komunikim me Malin e Zi.
Deri më tani nga kjo pikë e vetme tokësore kanë hyrë dhe dalë 700 shtetas të huaj të cilët i janë nënshtruar kontrolleve mjekësore sipas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë.