“Sherebela” që kapi 16 persona në Shkodër, dëshmitë e të arrestuarve për aksionin…

Shpërndaje

16 persona u arrestuan në Shkodër më 12 Tetor 2022 gjatë një operacioni anti-drogë të koduar “Qarku”. Aksioni policor u zhvillua në lagjen “Bleran” të fshatit Bardhaj në Rrethina Shkodër.

Në mesin e të arrestuarve ishin 10 gra punëtore dhe 6 familjarë. Sipas Prokurorisë dhe Policisë së Shkodrës, indicia për të organizuar operacionin u mor nga një telefonatë anonime ku pretendohej se në shtëpinë e Pjetër Gjonit 31 vjeç kishte drogë dhe armë.

Ngjitur me shtëpinë e Pjetër Gjonit dhe bashkëshortes, është edhe banesa e babait të tij, Zef Gjonit, ku jetojnë bashkëshortja e Zefit dhe 3 djemtë e tjerë të tij; Elvis Gjoni 24 vjeç, Roland Gjoni 22 vjeç dhe Fabion Gjoni 31 vjeç.

Me përjashtim të Fabion Gjonit i cili fillimisht u shpall në kërkim policor, të gjithë anëtarët e familjes Gjoni u arrestuan.

Në raportin e Prokurorisë së Shkodrës thuhet se gjatë kontrollit të banesës së Pjetër Gjonit, që është e ndarë me mur me blloqe nga banesa e Zef Gjonit, në mes ishte një portë ku kishte hyrje-dalje të banesave me njëra-tjetrën. Në pjesën e jashtme të banesës së Pjetër Gjonit ishte një kasolle e përshtatur për tharje, ku u gjetën bimë narkotike me gjethe kërcell dhe boçe në proces tharje, së bashku me boçen e kanabisit. Në përfundim të operacionit policor u sekuestruan në total 86 kilogramë kanabis.

Ndërsa u arrestuan gratë punëtore të kanabisit dhe 6 familjarë të familjes Gjoni që në fakt jetojnë në dy banesa të ndryshme.

Aktualisht në burg janë Pjetër Gjoni 31 vjeç në banesën e të cilit u gjet lënda narkotike, njëri nga vëllezërit e tij Roland Gjoni 22 vjeç dhe Danjela Hasani, e cila akuzohet si njëra nga organizatoret e grave punëtore. Fabion Gjoni i cili fillimisht u shpall në kërkim, aktualisht është i lirë dhe mbi të nuk rëndon akuzë. Djali tjetër, Elvis Gjoni është me masë sigurie arrest shtëpie. Ndërsa babai i vëllezërve Gjoni, Zef Gjoni, është lënë nga Apeli në detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë Shqipërisë. Po kështu, bashkëshortet e Zef Gjonit dhe të Pjetër Gjonit janë lënë të lira. /tvklan.al

Shpërndaje