“Shembull drithërues i injorancës”! Rama sulmon Voltana Ademin nga Shkodra: S’e prish fare terezinë për punët tuaja…

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama është ndalur këtë pasdite në një takim elektoral në Shkodër, ku në fjalën e tij ka sulmuar ashpër kryebashkiaken Voltana Ademi.

Rama u shpreh se Bashkia e Shkodrës është një bashki qorre dhe shembulli më drithërues i injorancës dhe prapambetjes. Teksa e cilësoi Shkodrën qytetin më të pisët në Shqipëri, Rama thekson se kryebashkiakes Ademi nuk i prishet fare terezia që plehrat nuk mblidhen.

“Na ka ngec sharra në gozhdë, se këtu është një lloj gozhde që s’ka sharrë që i bën derman. Është një lloj gozhde e ngulur në tru, që e thanë dhe e thanë trurin. Ata e kanë mendjen tapë. Nuk dua të shfajësohem, se ne kemi borxhe ndaj Shkodrës, e cila është pjesë e pandashme e gravitetit të historisë sonë, kulturës e traditës sonë. Shkodra është një potencial i jashtëzakonshëm. Nuk kanë më shumë se Shkodra ato qytete që sot janë në proces të pakthyeshëm transformimi, madje ka më shumë Shkodra. Unë jam këtu sot për t’iu thënë shkodranëve se nëse duan të na japin mundësinë të shlyejmë borxhet tona, të na japin mbështetje. Për të mbështetur Shkodrën ne i kemi ardhur vërdallë kufijve të vendosur nga një bashki qorre, që është shembulli më drithërues i injorancës, prapambetjes, inercisë, duke shkuar qorrazi drejt të ardhmes. I kemi ardhur rrotull dhe kemi ndërtuar rrugën Shkodër-Velipojë, një rrugë turistike që ishte një premtim dembabadem i të gjitha herëve që PD ka ardhur këtu për të marrë votën dhe që nuk u ndërtua kurrë.

E ndërtuam ne, duke i ardhur rrotull se nuk merrnim dot leje në bashki. Ata duan ta mbajnë Shkodrën në këtë gjendje. Komunizmi ka vdekur dhe mban peng vetëm Shkodrën, nga këta që e përdorin komunizmin për të marrë peng gjithë Shkodrën. Nuk mundet dot ti të shkosh të votosh, sikur shkon për të bërtitur në stadium ditën e diel, se të hënën dita vazhdon. Dhe kur ti ja jep votën një idioti, je peng i tij. Shkodra ka mbetur peng e një idiotësie prej 30 vitesh, me idenë se po i reziston komunizmit, që ka vdekur dhe që s’ka asnjë shans të ringjallet, por rri gjallë në formën e fantazmës këtu në Shkodër. Si prishet fare terezia asaj kryetares së Bashkisë se çfarë ndodh me plehrat. Shkodra është qyteti më i pistë i Shkodrës, ku nuk mblidhen plehrat. Është qyteti me më shumë gropa në vend. Këtu është qytet që ka mbetur ora. Por, punët e veta edhe kryetarja e bashkisë, edhe ata të shpurës së PD, që venë e vinë sa këtu sa në Tiranë për të bërë deputetin e Shkodrës, i kanë në terezi. Lufta që bëjnë sot është prapë për punët e tyre, jo për punët e Shkodrës apo të Shqipërisë”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Shpërndaje