Bashkia e Shkodrës ka depozituar këtë të enjte kallëzim penal në Prokurorinë e rrethit ndaj IKMT dhe drejtorisë vendore të policisë Shkodër për shembjet e strukturave të plazhit në Velipojë.
Në padi, bashkia akuzon IKMT dhe policinë për shpërdorim detyre.
“Bashkia Shkodër me cilësinë e kallëzuesit, vlerëson se Inspektoriatit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Drejtoria Vendore e Policisë së Shtetit nuk kanë vepruar drejt dhe ligjërisht, por kanë «shpërdoruar detyrën» që i ngarkon ligji në aksionin e organizuar për prishjen e 24 objekteve «beach-bare», në datën 10.06.2020 dhe 11.06.2020, në bregdetin e Plazhit të Velipojës, Njësia Administrative Velipojë” thuhet në padi.
KALLZIM PENAL
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër
Kallzuesi: Bashkia Shkodër
I Akuzuar: Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Tiranë
Drejtoria Vendore e Policisë së Shtetit, Shkodër
Baza ligjore: Shpërdorim i detyrës, parashikuar nga neni 248 e vijues i Kodit Penal
Të nderuar!
Bashkia Shkodër me cilësinë e kallëzuesit, vlerëson se Inspektoriatit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Drejtoria Vendore e Policisë së Shtetit nuk kanë vepruar drejt dhe ligjërisht, por kanë «shpërdoruar detyrën» që i ngarkon ligji në aksionin e organizuar për prishjen e 24 objekteve «beach-bare», në datën 10.06.2020 dhe 11.06.2020, në bregdetin e Plazhit të Velipojës, Njësia Administrative Velipojë.
Arsyet dhe shkeljet ligjore po i parashtrojmë më poshtë :
I. RRETHANAT, FAKTET DHE ARSYETIMI LIGJOR I TYRE
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në datën 10.06.2020 dhe 11.06.2020, në kundërshtim flagrant me ligjin material të inspektimit, ka filluar dhe vijuar deri në orët e vona të natës e pas mesnatës prishjen dhe shembjen e strukturave me funksion “beach bare» në plazhin e Velipojës, pa asnjë proçedurë, pa njoftim dhe vënien në dijeni të pronarëve apo përdoruesve, duke vepruar forcërisht, në shkelje të parimeve themelore kushtetuese të drejtave të njeriut. Në këto veprime inspektorët e IKMT janë shoqëruar nga efektivë të Policisë së Shtetit.
Nuk është ndjekur asnjë proçedurë dhe dhunshëm kanë prishur këto struktura, duke cënuar integritetin njerëzor dhe qytetar, gjë e cila bie ndesh katërciprisht me dispozitat ligjore të parashikuara në:
– Ligjin 9780 dt 16.07.2016 «Per inspektimin dhe Mbrojtjen e territorit nga Ndertimet e kundraligjshme», i ndryshuar,
– Ligjin 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar ,
– VKM nr 408 dt 13.05.2016 «Per miratimin e rregullores se Zhvillimit te Territorit», i ndryshuar ,
– VKM nr 894 dt 04.11.2015 «Per unifikimin e procedurave te kontrollit nga IMT dhe IKMT-ja.»
Në referim të dispozitave ligjore të sipërcituara IKMT-ja duhej të ushtronte kontroll me grupe inspektimi dhe çdo konstatim të kundraligjshëm duhej ta pasqyronte në proces-verbalin/let e konstatimit, duke përshkruar me detaje çdo objekt të kundraligjshëm si dhe llojin e konstruktit të tyre.
Sipas procedurës ligjore, një kopje i komunikohet palës, nëse ai/ajo është prezent. Në të kundërt një kopje e procesverbalit lihet në objekt. Proces-verbali shoqërohet me fotot e konstatimit të ndertimit pa leje ndërtimi. Në vijim njoftohet Krye/Inspektori i këtij Inspektoriati, i cili vlerëson shkeljen e konstatuar.
IKMT nuk ka vepruar konform dhe bazuar në ligjin nr 9780 dt 16.07.2007 ”Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme” i ndryshuar.
Në nenin 12 të ligjit të sipërcituar, përcaktohet se, citojmë:
• Kryeinspektorët/inspektorët kanë të drejtë të hyjnë dhe të ushtrojnë kontroll në mjediset ku kryhet ndërtimi.
• Kryeinspektori/inspektori duhet të identi-fikohet me dokument zyrtar.
• Subjekti që kontrollohet (sipas rastit, investitori, zhvilluesi, ndërtuesi, projektuesi, zbatuesi i punimeve, mbikëqyrësi, kolaudatori, prodhuesi i materialeve të ndërtimit etj.) dhe të gjithë personat e tjerë të përfshirë në procesin e punimit/ndërtimit janë të detyruar të lejojnë kryerjen e kontrollit, të vënë në dispozicion të grupit të kontrollit të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga aktet normative në fuqi, si dhe të ndihmojnë në shqyrtimin e tij.
• Gjendja e konstatuar gjatë kontrollit pasqyrohet në procesverbalin përkatës të konstatimit dhe nënshkruhet si nga kryeinspektori/inspektori që kryen kontrollin, ashtu dhe nga subjekti i kontrolluar ose përfaqësuesi i tij, kur ky është i pranishëm dhe nuk kundërshton të nënshkruajë. Një kopje e procesverbalit i jepet subjektit të kontrolluar.
• Kur subjekti i kontrolluar nuk pranon të nënshkruajë procesverbalin ose nuk është i pranishëm, ky fakt pasqyrohet në procesverbal dhe nënshkruhet nga grupi i inspektimit. Kur subjekti nuk është i pranishëm, i jepet një kopje e procesverbalit brenda 5 ditëve nga data e kontrollit.
Në Nenin 13 të ligjit të sipërcituar, përcaktohet se, citojmë:
Dhenia e vendimeve administrative dhe afatet:
• Brenda 10 ditëve nga mbajtja e procesverbalit të konstatimit të kundërvajtjes,(ndertim pa leje) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe ai i njësisë vendore nxjerrin vendimin për marrjen e masave përkatëse dhe dhënien e sanksioneve administrative, të cilat nënshkruhen nga kryeinspektori.
• Vendimi i pezullimit të punimeve në ndërtim shoqërohet me vendimin për dënim me gjobë, sipas parashikimeve ligjore ligji nr 9780 dt 16.07.2017 i ndryshuar nenit 13 pika ç,……Vendimi i pezullimit të punimeve në ndërtim shoqërohet me vendimin për dënim me gjobë, sipas parashikimeve ligjore, si dhe, kur është rasti, me kallëzimin penal apo kërkesën për heqje të licencës subjektit kundërvajtës.Masa e gjobës për ndërtimet pa leje përcaktohen në ligjin nr107 date 31.07.2014 “Per planifikimin dhe zhvillimin e territorit” neni 52 pika e) ku është bazuar dhe ky vendim për gjobë i nxjerrë nga kryeinspektori.
Për sa më sipër, nuk egzistojnë akte administrative, të cilat janë detyrim ligjor për t’u zbatuar nga IKMT-ja, akte te cilat hartohen nga Krye/Inspektori i IKMT-së konform nenit 108 të Kodit të Proçedurës Administrative sipas kompetencës, procedurës, në formën e duhur ligjore, me gjithë elementet e detyrueshëm të akteve administrative – ligjore.
Aktet administrative kërkojnë detyrimisht, nga secili organ i administratës publike, respektimin me përpikëri dhe rigorozitet të elementeve thelbësore, të cilat në mënyrë të hollësishme do të trajtohen në vijim.
Në referim të nenit 116 të Kodit të Procedurave Administrative përcaktohen kompetenca dhe procedura që duhet të ndiqet në këto raste. Po e shtjellojmë më poshtë:
1) Kompetenca:
Në nenet 4, 5 dhe 9/1 të ligjit nr 9780 datë 16.07.2007 “Pë r inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme”, i ndryshuar përcaktohet se IKMT nxjerr akte, si organi kompetent për të inspektuar territorin në zona bregdetare dhe ato me rëndësi kombëtare, duke ndëshkuar kundërvajtësit e për këtë duhet të nxjerrë aktet përkatëse administrative. Këto akte nuk janë nxjerrë.
Në Nenin 9, të ligjit nr 9780 datë 16.07.2007 2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme”, me nën titull “Përgjegjësitë e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit”, citohet se:
“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, nëpërmjet kryeinspektorit dhe inspektorëve, ushtron këto detyra dhe përgjegjësi:
a. ushtron përgjegjësitë e veta në nivel njësie vendore drejtpërdrejt dhe pa asnjë kufizim për ndërtimet/punimet që lidhen me çështje, zona ose objekte me rëndësi kombëtare dhe në territor;
Zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare dhe në territor, në kuptim të këtij ligji, janë zonat që kanë përparësi zhvillimin e turizmit, monumentet e kulturës, qendrat historike, parqet dhe zonat arkeologjike, pyjet dhe zonat e mbrojtura natyrore, monumentet natyrore, përfshirë zonat me karakteristika unike gjeografike, zonat me rrezik natyror, rrjetet ekologjike, burimet minerare e natyrore dhe rrjetet, komplekset dhe parqet industriale, rrugët kombëtare, linjat hekurudhore dhe infrastruktura ndihmëse, instalimet e infrastrukturës kombëtare, sektori i energjisë dhe komunikimit elektronik, aeroportet, portet e rrugët detare, zhvillimet në zonat ushtarake, vija bregdetare, brigjet dhe burimet ujore, lagunat, lumenjtë, liqenet, digat e dambat, tokat bujqësore, spitalet publike, objektet dhe terrenet sportive, si dhe ato të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit e me akte nënligjore ose ligje të tjera;
2) Procedura
E gjithë procedura, e cila mungon, duhej realizuar bazuar në ligjin 9780 datë 16.08.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, VKM-së Nr. 408 datë 13.05.2015 dhe Ligjit Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” Kodi i procedures Administrative dhe VKM nr. 894 dt 04.11.2015 “Për unifikimin e procedurave nga IKMT dhe ai i njesisë vendore”.
“Gjendja e konstatuar gjatë kontrollit pasqyrohet në procesverbalin përkatës të konstatimit dhe nënshkruhet si nga kryeinspektori/inspektori që kryen kontrollin, ashtu dhe nga subjekti i kontrolluar ose përfaqësuesi i tij, kur ky është i pranishëm dhe nuk kundërshton të nënshkruajë. Një kopje e procesverbalit i jepet subjektit të kontrolluar.Kur subjekti i kontrolluar nuk pranon të nënshkruajë procesverbalin ose nuk është i pranishëm, ky fakt pasqyrohet në procesverbal dhe nënshkruhet nga grupi i inspektimit. Kur subjekti nuk është i pranishëm, i jepet një kopje e procesverbalit brenda 5 ditëve nga data e kontrollit.”
Dhënia e vendimeve administrative dhe afatet
Brenda 10 ditëve nga mbajtja e procesverbalit të konstatimit të kundërvajtjes, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe ai i njësisë vendore nxjerrin vendimin për marrjen e masave përkatëse dhe dhënien e sanksioneve administrative, të cilat nënshkruhen nga kryeinspektori.
Sipas Neni 9/1 të ligjit nr 9780 datë 16.07.2007 2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme”:
IKMT, përveç detyrave të tjera të parashikuara në këtë ligj, ka të drejtë:
1. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, përveç detyrave të tjera, të parashikuara në këtë ligj, ka të drejtë që:
a) të ushtrojë përgjegjësitë e veta të njësisë vendore, sipas nenit 5, të këtij ligji, për ndërtime/punime të kundërligjshme në territorin e njësisë vendore, që nuk përfshihen në çështje, zona ose objekte me rëndësi kombëtare dhe në territor;
b) të ushtrojë të drejtën e ankimit në gjykatë ndaj lejes së ndërtimit, të miratuar në kundërshtim me ligjin dhe/ose dokumentet e planifikimit në fuqi.
2. Përgjegjësia, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni, ushtrohet kur:
a) kërkohet nga vetë Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore ose nga kryetari përkatës i saj, për shkak të pamundësisë financiare për ushtrimin e kësaj përgjegjësie nga inspektorati vendor;
b) inspektorati vendor nuk e ka inspektuar këtë territor më parë ose nuk është shprehur me vendim për ligjshmërinë ose jo të ndërtimit/punimit, në përputhje me afatet dhe procedurat ligjore;
c) vendimi i inspektoratit vendor për prishje të ndërtimit të kundërligjshëm nuk është ekzekutuar brenda afatit ligjor të caktuar në këtë ligj.
3. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, gjatë ushtrimit të kësaj detyre, për të provuar kundërligjshmërinë e ndërtimit, kryen inspektim në ndërtimin/punimin, objekt inspektimi, sipas nenit 12, të këtij ligji, dhe në rast se në përfundim të inspektimit konstaton se ndërtimi është i kundërligjshëm, vepron sipas nenit 13 të këtij ligji.
4. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, për ushtrimin e përgjegjësisë sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, bashkërendon punën me autoritetet përgjegjëse përkatëse të planifikimit të territorit në nivel qendror.
VKM “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe ai i njësisë vendore” përcakton se:
a) Kryeinspektorët/inspektorët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore, në mbështetje të nenit 12, të ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, pajisen me dokument identifikimi zyrtar, ku përcaktohet pozicioni i vendit të punës, i cili i paraqitet subjektit mbi të cilin do të ushtrohet kontrolli, si dhe:
i) kanë të drejtë të hyjnë dhe të ushtrojnë kontroll në mjediset ku kryhet/en ndërtimi/et;
ii) kanë të drejtë të kërkojnë zbatimin e objektit/punimeve në terren, sipas lejes së zhvillimit/ndërtimit/deklarimit paraprak të dhënë nga organi i autorizuar i qeverisjes vendore apo qendrore, si dhe të kontrollojnë dosjen me dokumentacionin teknik e ligjor të objektit.
Nëse identiteti dhe adresa e subjektit të kontrolluar nuk dihen, një kopje e procesverbalit të konstatimit afishohet për 5 (pesë) ditë në vendpublikimet e njësisë vendore përkatëse dhe në kantierin e ndërtimit. …………………………………………………….
Formularët bashkëlidhur janë pjesë përbërëse e këtij vendimi me emërtesat përkatëse, si më poshtë vijon:
a) Procesverbal për konstatimin e kundërvajtjes;
b) Vendim për prishjen e objektit të kundërligjshëm;
c) Vendim për pezullimin e punimeve;
d) Vendim për dënim me gjobë
e) Procesverbal për konstatimin e shpenzimeve te prishjes se objektit
f) Vendim per zhdemtimin e prishjes dhe kthimin e truallit ne gjendjen e mëparshëm.
II. KONKLUZIONE
Ky aksion i organizuar i prishjeve të objekteve në fashën ranore, për shkak të mungesës së plotë të nxjerrjes së akteve administrative, pasi ato nuk ekzistojnë, më shkak të mungesës proçedurës që nevojitet për t’i nxjerrë dhe njoftuar këto akte sikurse shpjeguam më sipër, nuk ka arritur qëllimin e ligjit, por ka shkelur parimin e barazisë para ligjit. Inspektorët e IKMT dhe drejtuesit e IKMT kanë shpërdoruar detyrën që ligji i ngarkon në ushtrim të funksioneve të organit publik IKMT dhe organit mbështetës, Policisë së Shtetit. Në brezin ranor kësaj paligjshmërie ndërhyrjesh i shtohet dhe paligjshmëria e selektivitetit, pasi nuk është vepruar për të gjithë strukturat njësoj.
Qellimi ligjit parashikon garantimin e standartit, gjë e cila është shkelur nëpermjet këtyre veprimeve arbitrare të qëllimshme, pasi në territor në brezin ranor kanë mbetur gërmadha me inerte e materiale, të cilat kanë kosto financiare për ta kthyer territorin në normalitet.
Ligji ka parashikuar dhe këtë problematikë në raste nderhyrjesh ligjore duke e zgjidhur përmes VKM nr 894 “Per unifikimin e procedurave ligjore…”, ku përcaktohet se duhet të mbahet proces-verbali i konstatimit të prishjeve të objektit në prezencë të kundravajtësit si dhe nga titullari i IKMT-se të merret vendim zhdëmtimi i prishjeve dhe kthimi i truallit në gjendjen e mëparshme. Në fakt kthimi i terrritorit të brezit ranor në gjendjen e mëparshme nuk është bëre dhe vijon akoma edhe sot të jetë në këtë gjendje.
Bashkisë Shkodër, si administratore e gjithë territorit të njësisë vendore duke përfshirë dhe atë të brezit ranor, i shkaktohet një dëm finaciar i madh. Njëkohësisht Plazhit të Velipojës i është shkaktuar prishja e imazhit në prag të sezonit turistik, i cili përkthehet në humbje të mëdha të ardhurash financiare per biznesin, ekonominë vendase dhe Bashkinë Shkodër.
Me veprimet e kundraligjshme të IKMT është cënuar parimi i subsidiaritetit, i cili kërkon që veprimet administrative, gjithmonë të kenë ndikim në interesin e përgjithshëm.
Perfundimisht konkludojmë se:
Sa argumentuam më lart jemi para veprës penale “shpërdorim detyre”.
Në kuptim të nenit 248 të Kodit Penal, figura e veprës penale “Shperdorimi i detyrës”, nga ana objektive do të thotë që krimi është kryer nëpërmjet:
i) shkeljes së rëndë të ligjore , pasi vetëm aktet administrative ligjore janë ato ku duhej bazuar ndërhyrja në brezin ranore si akte të ligjshme për t‘u zbatuar nga grupi i ekzekutimit të IKMT-së dhe Policisë së Shtetit, sikurse e kerkon ligji, deri në kthim të territorit në gjendjen e mëparshme.
Fakti që është vepruar pa anjë dokument ligjor, në shkelje të ligjit, procedurave ligjore, në mënyrë arbitrare dhe selektive, ngarkon me përgjegjësinë penale autorët e kësaj vepre.
Sa më sipër, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, Bashkia Shkodër ngre akuzën ndaj IKMT-së dhe DVPSH në lidhje me këtë vepër penale.
III. LIGJI I APLIKUESHËM :
Ligji nr 7895, datë 27.01.1995 “Kodit Penal i R.Sh-së” të ndryshuar
Ligji nr 7905 datë 21.03.199 “Kodi i Procedurës Penale të R.Sh-së” të ndryshuar
Ligji nr 139/ 2015 “Për vetëqeverisjen Vendore”
Ligji nr 9780 datë 16.07.2007 ”Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit”, i ndryshuar
Ligji nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar
VKM nr 408 dt 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores se zhvillimit të territorit”, i ndryshuar
VKM nr 894 Nr. 894, datë 4.11.2015 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga inspektorati kombëtar i mbrojtjes së territorit dhe ai i njësisë vendore”.
Bashkëlidhur provat në CD
KRYETAR
Voltana Ademi