Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka denoncuar autostradën Thumanë-Kashar duke thënë se duke filluar nga data 4 janar 2025, qytetarët do të duhet të paguajnë 5 mijë lekë të vjetra vatje-ardhje.
Shehaj tha se vepra të cilën ministrja Belinda Balluku e shiti prej 200 milionë eurosh, nëse do të tenderohej nga BE, nuk kap vlerën e më shumë se 60 milionë euro.
Rrugën, deputeti e cilëson aferë gjigante, ndërsa shton se prej muajsh Balluku nuk pranon interpelancën në Kuvend për këtë çështje.
“Jemi duke shkuar në Shkodër sepse kemi takim te kinema Republika. Ndërkohë kalova këtu te trau Thumanë-Kashar, ku nga data 4 janar, të gjithë ata që do të kalojnë nga veriu në jug ose në Tiranë, duhet të paguajnë vatje-ardhje 5 mijë lekë pothuajse. Kjo është dhurata e ministres Balluku dhe Ramës. Për një rrugë prej 20 km që po të ishin tenderuar nga BE apo nga një institucion ndërkombëtar nuk do kushtonin më shumë se 40 apo 60 milionë euro. Na e shitën si një vepër prej 200 milionë euro, për vetëm 20 km. Dhe i kërkojnë shqiptarëve për 35 vjet, 1.3 miliard euro.
Kjo ishte çështja për të cilën kam kërkuar interpelancë me ministren Balluku, e cila ka 6 muaj që shmang përplasjen në Parlament. Nuk pranon të vijë në Kuvend të japë llogari për këtë vjedhje, këtë aferë gjigande. Ky është një skandal, një nga vjedhjet më të mëdha të kësaj qeverie”, tha Shehaj.