Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) të premten vendosën veto ndaj një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte armëpushim të menjëhershëm për të ndalur gjakderdhjen e vazhdueshme në Rripin e Gazës, ndërsa numri i të vdekurve vazhdon të rritet.
Teksti, i cili u bashkësponsorizua nga të paktën 97 vende anëtare të OKB-së, mori mbështetjen e 13 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ndërsa Mbretëria e Bashkuar abstenoi.
Projektrezoluta u bënte thirrje të gjitha palëve në konflikt që t’i përmbahen ligjit ndërkombëtar, veçanërisht për mbrojtjen e civilëve, kërkonte armëpushim të menjëhershëm humanitar dhe i bënte thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres që t’i raportojë Këshillit për zbatimin e armëpushimit.
Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat paraqitën draftin, thanë se punuan për të përfunduar me shpejtësi rezolutën për shkak të numrit në rritje të të vdekurve gjatë luftës.
“Nuk ka mbetur asgjë tjetër për të bërë apo thënë përveçse të kërkohet që kjo luftë të përfundojë dhe imperativi për të shpëtuar sa më shumë jetë tani duhet të zëvendësojë çdo konsideratë tjetër”, tha Mohamed Abushahab, përfaqësuesi i Emirateve të Bashkuara Arabe.