Serbia dhe Mali i Zi i marrin turistët Shqipërisë, ikën “Israir”, pasi e subvencionojnë fqinjët, mund të largohen të tjerë…

Shpërndaje

Konkurrenca rajonale për tërheqjen e turistëve po jep pasojat e para në dëm të turizmit shqiptar.

Kompania ajrore “Israir”, që ofronte lidhje direkte me Shqipërinë nga Izraeli, ka anuluar fluturimet, duke i zëvendësuar me Serbinë dhe Malin e Zi, për shkak të subvencioneve që po japin këta të fundit.

Operatorët shqiptarë i tremben faktit që kjo praktikë subvencionesh mund të largojë të tjerë tour-operatorë, çka do të ishte një goditje e rëndë për turizmin vendas.

Lajmin e ka bërë të ditur në rrjetet sociale, Unionit Turistik Shqiptar. “Kompania ajrore Israir, duke filluar nga 25 prilli ka anuluar të gjitha fluturimet me Shqipërinë dhe në vend të saj do të fluturojë dy herë në ditë në Mal të Zi dhe ne Beograd, pasi këto shtete i dhanë 50 euro subvencion për çdo turist.

Kjo do të thotë që tregut turistik të Malit te Zi  do t’i shtohen këtë vit rreth 50 mijë turistë më shumë, të cilët fare mirë mund t’i kishte marrë vendi ynë, nëse Qeveria jonë do të merrte në konsideratë kërkesat e kahershme të Unionit Turistik për politika incentivuese.

Këto vende, përfshirë dhe Maqedoninë e Veriut janë në tratativa dhe me disa Tour Operatore të njohur ndërkombëtarë të cilët aktualisht operojnë në Shqipëri, që t’i largojnë nga Shqipëria dhe t’i tërheqin drejt vendeve të tyre”.

“Dhe e dini pse ndodh kjo?! Sepse shteti atje mendon për mireqenien e qytetarëve të vet dhe nuk bën show siç bëjnë tek Ne”, thuhet në reagimin e Unionit në facebook.

Të kontaktuar nga Monitor, përfaqësues të Unionit sqaruan se kompania “Israir” kishte fluturime të rregullta me Shqipërinë, 5 herë në javë ndërkohë që në verë do të arrinte 7 fluturime në javë. Kompania ofronte shërbimin e charterit për turoperatorët e Izraelit që kishin marrëdhënie me turoperatorët shqiptarë.

Bëhet fjalë për një turizëm kryesisht të organizuar, që vendosej përgjatë gjithë bregdetit shqiptar por kryesisht në Durrës. Në mungesë të kompanisë që ofron shërbimin e charterit , operatorët po përballen me anulimin e rezervimeve që një pjesë ishin kontrata me garanci dhe një pjesë allotment (paguaj sa plotëson).

Kjo është një humbje për turizmin shqiptar pasi izraelitët e vizitonin vendin tonë përgjatë gjithë vitit edhe në ture kulturore.

Fatos Çerenishti, i “Fafa Grup”, ndër më të mëdhatë në vend për kapacitetet hoteliere, shpreh shqetësimin për këtë që po ndodh. “Është fatkeqësi që ky treg largohet nga Shqipëria dhe të ardhurat që do të siguronte hoteleria dhe ekonomia jonë do të shkojnë në vend tjetër, kur rezervimet fillestare ishin në bregdetin shqiptar”.

“Le ta shfrytëzojmë këtë informacion të trishtë për hotelerinë që kërkesat dhe sugjerimet e Unionit Turistik të konsiderohen me shumë seriozitet nga qeveritaret tanë, pasi kërkesat tona janë në ndihmë të industrisë së turizmit për ta ngritur atë të paktën në nivelin e vendeve të rajonit”, komentoi Çerenishti në rrjetet sociale./Monitor/

Shpërndaje