Seanca e jashtëzakonshme/ Kuvendi miraton sot rezolutën, ja çfarë i kërkon Presidentit (Dokumenti)

0
327

Kuvendi do të mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme, për të cilën deputetët janë lajmëruar që të jenë të gjithë të pranishëm, pas dekretimit të Marsida Xhaferllarit nga ana e Presidentit Meta për në Gjykatën Kushtetuese dhe mosnjohjes së Arta Vorpsit si kandidatja e parë e listuar nga KED-i.

Sipas propozuesve të rezolutës, Presidenti i Republikës me veprimet e tij ka tentuar të bllokojë funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i Republikës, sipas projektrezolutës, mori abuzivisht kompetencat e KED-it, pasi KED është organi i vetëm që përcakton renditjen.

Gjithashtu, thuhet se dekreti i Metës për Marsida Xhaferllarin është i pavlefshëm. Më tej, Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat pa krijuar asnjë pengesë, për mundësimin e fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese, znj. Arta Vorpsi, znj. Elsa Toska dhe znj. Fiona Papajorgji.

DRAFTREZOLUTA E KUVENDIT

Duke emëruar kandidatin e listuar në vend të katërt në vendimin nr. 132, datë 21.09.2019, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me justifikimin se zgjedhja e dy prej kandidatëve në të njëjtën listë si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese me vendimin e Kuvendit të datës 11.11.2019, e rendit kandidatin e zgjedhur si gjyqtar kushtetues nga Presidenti në tri vendet e para të listës. Presidenti ka marrë në mënyrë abuzive kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është i vetmi organ që ka kompetencën e renditjes së kandidatëve sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organi i vetëm kushtetues, që përcakton renditjen e tre të parëve si kandidatë, ndërmjet të cilëve duhet të emërojë ose zgjedhë Presidenti ose Kuvendi. Qëllimi i këtij rregulli kushtetues dhe ligjor është kufizimi i diskrecionit për të tri organet e emërtesës, përkatësisht Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, për të vendosur brenda renditjes së përcaktuar në vendimin e këtij Këshilli.

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se dekreti i Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë, ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë. Në mungesë të kompetencës për të emëruar gjyqtarin kushtetues, Presidenti në mënyrë të kundërligjshme ka ndërhyrë në një proces kushtetues. Argumentet e Presidentit në letrën e datës 05.11.2019 drejtuar Kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në lidhje me radhën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues nga Presidenti e Kuvendi, bien ndesh me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, pasi radha nuk përcakton kohën e veprimit të organit, por kompetencën për të vepruar për secilin vend vakant.

Në kushtet kur plotësohen disa vende vakante njëherësh, secili organ ka të drejtë të ushtrojë kompetencën e vet kushtetuese, pa u kufizuar nga zgjedhja e organit tjetër dhe as nga koha e ushtrimit të kësaj kompetence prej secilit organ, duke emëruar/zgjedhur gjyqtarin/gjyqtarët kushtetues në mënyrë të pavarur nga vendimmarrja e organit tjetër. Nga procedura tërësore e ndjekur, që nga shpallja e vendeve vakante për gjyqtarët kushtetues, nga Presidenti ashtu dhe nga Kuvendi, deri në shqyrtimin, vlerësimin e kandidaturave dhe njoftimet e vendimeve përkatëse të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për secilin vend vakant të krijuar, është e qartë kompetenca e emërimit/ zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues për vendin vakant respektiv, përkatësisht nga Presidenti dhe nga Kuvendi.

Duke vepruar në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të ligjit dhe në mungesë të kompetencës, Presidenti ka kryer një akt të paprecedent, duke tentuar të pezullojë një proces kushtetues me procedura ligjore administrative. Dispozitat kushtetuese dhe ato të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, që lidhen me emërimin dhe zgjedhjen e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk mund të interpretohen në tejkalim të misionit që ato kanë: të garantimit të pavarësisë dhe funksionimit efikas dhe të pacenueshëm të një organi kushtetues të rëndësisë së veçantë, siç është Gjykata Kushtetuese.

Duke vepruar në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti ka tentuar të bllokojë emërimin/ zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sjell zvarritjen e rifillimit të funksionimit të kësaj gjykate. Për më tepër, ky veprim synon të ndikojë në cenimin e pavarësisë së këtij institucioni nëpërmjet ndërhyrjeve antikushtetuese në procedurat e emërimit të gjyqtarëve të kësaj gjykate.

Presidenti në mënyrë të përsëritur ka kryer veprime në kundërshtim me Kushtetutën, duke nxjerrë akte në tejkalim ose në mungesë të kompetencës së tij kushtetuese dhe ligjore. Për sa më sipër, Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike, që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, të zbatojnë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë dekretin nul të Presidentit të Republikës, nr.11350, datë 13.11.2019.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese, znj. Arta Vorpsi, znj. Elsa Toska dhe znj. Fiona Papajorgji. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat, pa krijuar asnjë pengesë, për mundësimin e fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese znj. Arta Vorpsi, znj. Elsa Toska dhe znj. Fiona Papajorgji.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet, që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese, ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë, në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë, duke e kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit.

KRYETARI, GRAMOZ RUÇI

SMS DREJTUAR DEPUTETËVE PËR SEANCËN E JASHTËZAKONSHME

Përmes një mesazhi telefonik, Kuvendi i Shqipërisë ka lajmëruar deputetët e tij që të jenë të pranishëm në seancën e sotme. Ishte Konferenca e Kryetarëve që vendosi mbledhjen e Kuvendit në seancë jashtë radhe. Rendi i ditës do të jetë dekreti i Presidentit për caktimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, i cili është cilësuar nga maxhoranca si i papranueshëm. Teksti i SMS-së që u ka mbërritur deputetëve është si më poshtë: Të dashur kolege e kolegë! Vendimi absurd i djeshëm i Presidentit kërkon një qëndrim institucional të Kuvendit në mbrojtje të Kushtetutës. Për këtë qëllim, do të thërrasim nesër, ora 10:00, seancë plenare të Kuvendit. Merrni masat për prezencën e domosdoshme

PANORAMA

PËRGJIGJU