“Zhvillimi i Samitit të Bashkimit Europian, në Tiranë, tregon më së miri se Shqipëria është vend i sigurt dhe demokratik. Nisur nga rëndësia insituticionale dhe nga impakti publik që ka ky event, Policia e Shtetit është e angazhuar me maksimumin e kapaciteteve të saj njerëzore dhe logjistike, për mbarëvajtjen e tij.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve.
Nisur dhe nga përvoja e aktiviteteve shumë të rëndësishme të zhvilluara më parë, Policia e Shtetit ka fituar përvojën e duhur dhe besojmë se edhe në këtë rast, Policia e Shtetit do të tregojë përkushtim dhe profesionalizëm, duke i bërë një shërbim të çmuar imazhit të vendit.
Dua të siguroj nxënësit, punonjësit e institucioneve, banorët rezidentë brenda permitetrit të sigurisë, por dhe jashtë tij, se data 6 dhjetor është ditë normale mësimi, pune e aktiviteti të përditshëm, pavarësisht kufizimeve të lëvizjeve në disa akse rrugore, për të cilat Policia e Shtetit ka marrë masa për devijimin e lëvizjeve në rrugë alternative, me qëllim që të mos ketë pengesa për vijimin normal të aktiviteteve gjatë datës 6 dhjetor.
Gjithashtu, dua të siguroj qytetarët shqiptarë se:
Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por në këtë rast, siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve VIP të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar .
Policia e Shtetit nuk e ndalon absolutisht protestën e lajmëruar, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar.
Ne kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta.
Edhe një herë, dua të konkretizoj, nëpërmjet hartës, “Perimetrin e Sigurisë”, rrugët e bllokuara dhe rrugët alternative në të cilat mund të lëvizin lirshëm qytetarët”- tha drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku në konferencën për shtyp.