Sa xhami, mesxhide dhe teqe kishte Shqipëria në vitin 1932?…

Shpërndaje

Nga Hasan Bello

Në pranverë të vitit 1932 në Ministrinë e Jashtme mbërriti një shkresë nga redaksia e revistës franceze “Revue des Balkans”, e cila po përgatiste një bibliografi për shtetet ballkanike. Redaksia e kësaj reviste kërkonte nga institucionet e shtetit shqiptar një informacion të saktë mbi numrin e objekteve të kultit islam që ndodheshin në territorin e Mbretërisë Shqiptare. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Shtypit dhe disa institucione të tjera kërkuan informacion nga Komuniteti Mysliman.

Ky i fundit kishte kohë që kishte nisur një proces verifikimi në të gjitha myftinitë, të cilat zakonisht mbulonin territorin e një prefekture. Në fakt invetarizimi i objekteve të kultit (xhami, teqe dhe mesxhide) bëhej për disa arsye: e para, për të regjistruar dhe paisur çdo objekt me dokumentacionin e nevojshëm kadastral në përputhje me legjislacionin e shtetit shqiptar; e dyta, për të kuptuar nevojat e këtyre objekteve dhe popullsisë lokale me personel dhe mbështetje logjistike. Kjo për shkak se një pjesë e tyre ishin ndërtesa shekullore dhe kishin nevojë për restaurim.

Procesi i invetarizimit të xhamive, teqeve dhe mesxhideve u krye brenda një kohë të shkurtër. Ai u realizua nëpërmjet myftinive, që raportuan numrin e tyre për çdo fshat dhe qytet të Shqipërisë. Sipas një relacioni që Kryesia e Komunitetit Mysliman i dërgoi Ministrisë së Drejtësisë, e cila kishte nën varësi të gjitha komunitetet fetare, në territorin e shtetit shqiptar kishte 984 xhami, 185 teqe dhe 58 mesxhide.

Ky ishte një numër relativisht i lartë në raport me numrin e popullsisë. Megjithatë nuk duhet harruar se shoqëria e atyre viteve ishte shumë më religjoze dhe se nga ana tjetër jo të gjitha objektet kishin të njëjtën madhësi, rëndësi historike dhe arkitektonike.

(Në dokumentin e mëposhtëm paraqitet një listë e cila më pas është plotësuar edhe me të dhënat e disa qyteteve të tjera. Gjithësesi ajo është e përafërt me numrin e përgjithshëm të xhamive, teqeve dhe mesxhideve që ekzistonin në vitin 1932).

Shpërndaje