Sa delegatë të Shkodrës janë sot në Tiranë te Basha? Spahia: Se di sa kanë mbetur apo shtuar padrejtësisht në listë

Shpërndaje

Bardh Spahia, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, ushtroi sot të drejtën e votës në referendumin e thirrur nga Berisha për shkarkimin e Bashës si kryetar partie.

Sipas tij  PD ishte në një krizë të thellë prej kohësh dhe shpallja non grata e Berishës vetëm sa e nxori në sipërfaqe.

Spahia thotë se pjesëmarrja e lartë në votim e anëtarësisë së PD tregon nevojën për ndryshim që ka kjo parti.

“Pjesëmarrja e jashtëzakonshme tregon domosdoshmërinë për ndryshim që ka kjo parti. Kriza me shpalljen non grata të Berishës vetëm ka nxjerrë në sipërfaqe një krizë që ka ekzistuar më parë në PD, humbje të besimit të anëtarësisë së PD te lidershipi. Mënyra e vetme për të rikthyer besimin te lidershipi i PD dhe strukturat në çdo nivel është vetëm vota e anëtarësisë së PD. Për fat të keq kjo thirrje ra në vesh të shurdhër te drejtuesit e PD, u humb shumë kohë duke mohuar aktualitetin, situatë ku ishte PD, gjë që thelloi krizën dhe ndarjen e PD dhe në struktura”.

Pyetjes se sa delegatë të Shkodrës janë sot në Tiranë ai i dha këtë përgjigje:

“Nuk e di numrin e saktë të delegatëve që sot kanë shkuar në Tiranë por shumica dërmuese e delegatëve të Shkodrës janë shprehur qartë pro Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga anëtarësia. Sa delegatë kanë mbetur të shkojnë sot në Tiranë apo sa të tjerë i janë shtuar listës së delegatëve me të padrejtë kjo tregon dëshpërimin dhe metodën e gabuar për të zgjidhur këtë krizë. Mënyra e vetme për të zgjidhur krizën është vota e lirë e strukturave”.

Shpërndaje