Rusia vendos 700 snajperë në kufirin me Ukrainën, tensionet në rritje

Shpërndaje

Vijojnë tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës. Moska ka vendosur rreth 700 snajperë pranë kufirit me Ukrainën, menjëherë pasi Kievi deklaroi se më shumë se 94 mijë trupa ruse janë vendosur në kufi.

Në internet janë publikuar edhe foto të snajperëve të shtrirë në dëborë të veshur me të bardha. Moska ka bërë të ditur se stërvitja është duke u zhvilluar në tre nga katër rajonet që kufizohen me Ukrainën, duke përfshirë ushtrime ushtarake për kamuflimin e snajperëve, të shtëna në distancë të largët. Ata janë duke përdorur armë SVD, SVD-M, SVD-K dhe një snajper të kalibrit të lartë, ASVK.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se Europa mund të rikthehet tek ai që e quajti “makthi i konfrontimit ushtarak”. Gjatë një konference për sigurinë në Suedi, ku u takua me Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken, Lavrov shpalosi idenë e një pakti të ri europian për sigurinë, që do të përpiqej  të ndalonte zgjerimin e infrastrukturës së NATO-s më në lindje.

“Infrastruktura ushtarake e aleancës po zgjerohet në mënyrë të papërgjegjshme, duke ju afruar kufijve rusë ne Rumani dhe Poloni, e duke pozicionuar sisteme anti-raketore që mund të përdoren për sulme. Raketa amerikane me rreze të mesme veprimi do të shfaqen shpejt në Europë, duke rikthyer skenarin e një konfrontimi ushtarak”, tha Lavrov.

Sakaq, sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken  paralajmëroi për pasoja serioze, nëse Rusia do të kërkojë konflikt me Ukrainën.

“Nëse Rusia do të vendosë të zgjedhje konfrontimin pasojat do të jenë të rënda. Në të njëjtën kohë qe në po diskutojmë mbi këtë çështje, ne kemi edhe interesa të përbashkëta siç është ai për të mos lejuar iranin të sigurojë armë bërthamore”, u shpreh Blinken.

Shpërndaje