Projektbuxheti i vitit 2024 parashikon rritje të mëtejshme të pagave, për një sërë kategorish.
Ministri i Financave Ervin Mete, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve tha se qeveria ka objekti që të arrijë 900 euro paga mesatare në vendin tonë.
Ai tha se nga rritja vitin e ardhshëm do përfitojnë mjekët dhe infermierët, policën, mësuesit, por edhe zyrtarët e administratës qëndrore dhe vendore.
Projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.