Rritja e çmimeve në korrik “përzuri” turistët nga hotelet, sidomos vendasit…

Shpërndaje

Rritja e netë-qëndrimeve të të huajve dhe vendasve përgjatë muajit korrik të këtij viti është ngadalësuar ndjeshëm në korrik.

Të dhënat e INSTAT për strukturat akomoduese bënë të ditur se rritja e net-qëndrimeve të turistëve vendas në korrik ishte vetëm 6.2%, nga 61% që kishte qenë korrikun e një viti më parë.

Më ngadalë u rritën dhe net qëndrimet e të huajve, m 21.3%, nga 42.3% të njëjtin muaj të një viti më parë.

Në korrik hotelet, sidomos në jug, rritën ndjeshëm çmimet deri në 90%, çka bëri që shumë shqiptarë të zgjedhin të pushojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi apo Turqi. Po ashtu edhe shumë turistë të huaj, sidomos italianë anuluan prenotimet.

Gjatë muajve të parë të vitit, rritja e net qëndrimeve si e të huajve ashtu dhe vendasve kishte qenë e lartë. Në prill psh, rezidentët vendas ishin rritur me 20% dhe ata të huaj me rreth 80%.

Efektet u dukën dhe në shifrat e hyrjeve të turistëve të huaj, që u rritën me vetëm 2% në korrik, ndërsa muajt e mëparshme zgjerimi kishte qenë dyshifror.

Sipas njoftimit të INSTAT numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 35,9%, në krahasim me Korrik 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:

  • numri i vizitorëve rezident është rritur me 8,9%;
  • numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 53,1%.

Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 16,1%, në krahasim me Korrik 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:

  • numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 6,2%;
  • numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 21,3%.

Vizitorë

Gjatë muajit Korrik 2024, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 35,9%, krahasuar me Korrik 2023.

Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 74,1%. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 57,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i vizitorëve jo-rezident në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 57,1%.

Në muajin Korrik 2024, numri më i lartë i vizitorëve rezulton:

  • sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (38,3%);
  • sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (73,1%);
  • sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (93,0%).

Netë qëndrime

Gjatë muajit Korrik 2024, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 16,1%, në krahasim me muajin Korrik 2023.

Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 24,4%. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 21,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 22,5%.

Në muajin Korrik 2024, numri më i lartë i netë qëndrimeve është realizuar:

  • sipas rajoneve në “Rajonin e Jugut“ (39,3%);
  • sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (81,9%);
  • sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (92,4%).

Norma neto e shfrytëzimit

Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 49,3%, kundrejt 44,8% që ishte në muajin Korrik 2023. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 55,4%, kundrejt 49,5% që ishte në muajin Korrik 2023./Monitor/

Shpërndaje