Rriten pagat e punonjësve në 61 bashkitë e vendit, Mazniku: Ekspertët do të paguhen të gjithë njëlloj…

Shpërndaje

Duke nisur nga data 1 Shtator të gjithë punonjësit e bashkive në mbarë vendin do të paguhen njësoj. Unifikimi i pagave sipas vendimit të marrë në mbledhjen e qeverisë parashikon që një jurist, ekonomist apo arkitekt si në Bashkinë e Tiranës, ashtu edhe në atë të Konispolit do të kenë pagë të njejtë.

Rritja e pagave sipas Ministrit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku kap nivelet nga 40% deri në dyfishim të pagës për disa profesione specifike dhe ka për qëllim shtimin e stafeve të bashkive.

“Riklasifikuam nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën. Nga një skemë e cila i ndante bashkitë në 5 grupime dhe në varësi të madhësisë së bashkive kishte edhe nivele të ndryshme pagash, në nivele pagash të unifikuara. Dhe elementi i tretë rritja e pagave të gjitha bashkive dhe rritja e minimumeve dhe maksimumeve në të gjitha bashkitë në nivele të unifikuara.”

Mazniku njoftoi gjithashtu se, duke nisur nga viti i ardhshëm do të ndryshojë edhe formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar për bashkitë, që për 2023-in është 36.5 miliardë Lekë.

“Kemi ngritur grup pune që po merret me rishikimin e formulës për shpërndarjen e grantit. Në buxhetin e 2025 do ketë formulë të re dhe një nga elementët do jetë edhe treguesi i performancës. Asnjë bashki s’do marrë më pak para se një vit më parë”.

Mazniku sqaroi se formula e ndarjes së fondeve do të bazohet në të dhënat për popullsinë të CENS-it.

Shpërndaje