Roja bregdetare greke përpiqet t’i vërë flakën azilkërkuesve…

Shpërndaje

Komanda e Rojës Bregdetare Turke njoftoi të shtunën se ka shpëtuar 41 azilkërkues në Detin Egje të cilët u kthyen me forcë në ujërat territorialë turq nga Roja Bregdetare Greke, duke u përpjekur që t’u vënë flakën.

Komanda në faqen e saj të internetit tha se ekipet e rojës bregdetare u dërguan për të shpëtuar azilkërkuesit të shtunën herët në rrethin Çeşme në provincën Izmir.

Një nga azilkërkuesit me djegie në këmbë u dërgua në urgjencë.

Ministri i Brendshëm i Turqisë Suleyman Soylu shpëndau pamjet në Twitter që tregonin forcat greke duke shtyrë me forcë azilkërkuesit në ujërat territorialë turq.

“Agjencitë greke të zbatimit të ligjit u përpoqën t’u vënë zjarrin njerëzve, duke derdhur benzinë ​​mbi ta, gjë që flet për masakër nën vëzhgimin e Evropës”, tha Soylu.

“Ndërsa Evropa vazhdon të përkëdhelë Greqinë dhe të heshtë ndaj asaj që ndodhi, ajo do të hyjë në histori si nxitëse e kësaj të keqeje @EU_Comission”, shtoi ai.

Duke folur për incidentin në video, një nga viktimat tha: “Ishte një grua. Ajo tha: ‘Doni të shkoni’. Por ne nuk shkuam. Ajo solli benzinë, e derdhi mbi ne dhe na e vuri flakën. Policia tha: ‘Ju do të digjeni pasi nuk shkuat në Turqi'”.

“Ata na sollën këtu me anijen tonë dhe na lanë në det”, shtoi viktima.

Turqia ka qenë një pikë kyçe tranziti për azilkërkuesit që synojnë të kalojnë në Evropë për të filluar një jetë të re, veçanërisht ata që ikin nga lufta dhe persekutimi.

Turqia dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë dënuar në mënyrë të përsëritur praktikën e paligjshme të Greqisë për dëbimin e azilkërkuesëve, duke thënë se ajo shkel vlerat humanitare dhe ligjin ndërkombëtar duke rrezikuar jetën e migrantëve të pambrojtur, duke përfshirë gratë dhe fëmijët.

Shpërndaje