Sektori i turizmit është rikuperuar ndjeshëm gjatë këtij sezoni nga efektet negative që dha pandemia Covid-19. Sipas të dhënave të INSTAT në muajin korrik u futën në vend 1,158,962 shtetas të huaj. Ky numër ishte tre herë më i lartë se në korrik i vitit 2020 dhe vetëm 1.5% më i ulët se në korrikun e vitit 2019.
Flukset turistike në korrik 2021 janë furnizuar kryesisht nga shtetasit nga Kosova dhe ato nga Maqedonia e Veriut.
Gjatë muajit korrik hynë në vend 521,265 shtetas nga Kosova me një rritje 16 % më shumë se në vitin 2019. Flukset nga Kosova zunë 45 për qind te të gjithë shtetasve të huaj që vizituan vendin tonë në korrik, nga 38% në të njëjtën periudhë 2019.
Për të gjithë periudhën 7 -mujore hynë gjithsej në vendin tonë 2,846,881 shtetas të huaj. Ky numër ishte më 154% më i lartë se në vitin 2020 për të njëjtën periudhe dhe 19 për qind më rënie në raport me janar-korrik, 2019.
Gjatë këtij viti turizmi në Shqipëri është furnizuar më së shumti nga kërkesa rajonale dhe kryesisht nga Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Hyrjet nga Maqedonia shënuan rritje me 6% në krahasim me vitin 2019.
Turistët polakë megjithëse kanë nisur të rikthehen, numri i tyre ishte 16 % më i ulët se në muajin korrik 2019.
Vërshojnë ikjet e shqiptarëve jashtë vendit, por 30% më të ulëta se me 2019
Pas lehtësimit të masave kufizuese ka nisur edhe ikjet e Shqiptareve jashtë vendit. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Korrik 2021, janë 1.459.462 duke shënuar një rritje me 2,7 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por 30% më të ulta se në vitin 2019.
Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Korrik 2021, janë 475.896. Krahasuar me Korrik 2020, ky numër është rritur me 1,9 herë.
Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Korrik 2021, janë 983.566. Krahasuar me Korrik 2020, ky numër është rritur me 3,3 herë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatë-mujorit të 2021, është 2.179.019. Ky tregues është rritur me 34,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.