Rikuperohet turizmi, në gusht i afrohet nivelit të 2019, vetëm 1.3% më pak…

Shpërndaje

Sektori i turizmit u rikuperua ndjeshëm këtë verë pas kufizimeve pandemike të vitit të shkuar, por gjatë gushtit numri i vizitorëve gati arriti nivelet e gushtit 2019 me vetëm 1.3% diferencë më pak.

Sipas të dhënave të INSTAT në të gjithë periudhën 8 mujore hynë në vendin tonë mbi 4,3 milionë shtetas të huaj ose 8% më i ulët se në vitin 2019.

Zhvillimet pozitive i atribuohen shqiptarëve nga Kosova. Gjatë periudhës tetë-mujore ato përbënë 50 për qind te të gjithë fluksit turistik.  Mbi 2.1 milionë shtetas nga Kosova vizituan Shqipërinë nga janari deri në fund të gushtit 2021 me një rritje 18 për qind në raport me vitin normal 2019. Kjo rritje ka kompensuar disi rënien që erdhi nga vende të tjera, kryesisht nga BE që kishin vizituar vendin tonë më 2019.

Maqedonia ishte vendi i dytë pas Kosovës me prurjet e larta turistike në Shqipëri. Gjatë 8-mujorit 2021 vizituan vendin 448 mijë shtetas nga Maqedonia kryesisht shqiptarë të trojeve, por ato ishin me rënie në krahasim me vitin 2019 me rreth 24%.

Gjithashtu rënie në raport me vitin 2019 shënuan të gjitha prurjet nga shtetet e tjera që janë burime për turizmin shqiptar, përveç Malit te Zi vizitoret e të cilit ishin më 2021 54% më të larta se në vitin 2019.

Rënia më e madhe ishte për vizitoret nga Greqia dhe ato Spanja me 62% secila në raport me vitin 2019. Më rënie 17 % në raport me vitin 2019 ishin edhe turistet polak që vitet e fundit janë bërë një pjesë e rëndësishme e kërkesës për turizëm në vendin tonë

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë tetë-mujorit të 2021, është 4.384.072, duke u rritur me 2,5 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020 .

Sipas statistikave të bilancit të pagesave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, që mat bilancin e udhëtimeve (shpenzimet që bëjnë të huajt në Shqipëri dhe ato që bëjnë shqiptarët jashtë), shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën në 687 milionë euro në 6 mujorin e parë të vitit, me një rënie prej 20%, ose 167 milionë euro më pak, në krahasim me janar-qershor 2019, që deri tani mban rekordin si viti më i mirë deri tani për turizmin.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjithsesi hendeku me parakrizën ka filluar të ngushtohet që në tremujorin e dytë të vitit, teksa tkurrja ishte 11.6% në raport me periudhën përkatëse, nga 31% në tremujorin e parë.

 Shqiptarët i rikthehen pushimeve jashtë

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Gusht 2021, janë 677.842. Krahasuar me Gusht 2020, ky numër është rritur me 2,2 herë, por mbetet poshtë nivelit të vitit 2019.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë tetë-mujorit të parë të 2021, është 2,856,861. Ky tregues është rritur me 47,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë por gati 30% më pak se në vitin 2019./Monitor/

Shpërndaje