Hysen Dedja është zyrtarisht trajneri i ri i Vllaznisë.
Tekniku shkodran pas një takimi me drejtues te bashkisë së Shkodrës ka pranuar të marrë drejtimin e skuadrës ku do të zëvendësojë Mirsad Jonuz që dha dorëheqjen nga posti i tij përpara disa ditësh.
Dedja e merr drejtimin e Vllaznisë në një moment delikat me skuadrën shkodrane që pas 28 javësh e sheh veten në vendin e 8 të klasifikimit me pikë të barabarta me partizanin e vendit të shtatë.
Kjo do të thotë se për 8 ndeshjet e radhës, objektivi i trajnerit 59-vjeçar do të jetë evitimi i fazës së playout-it për qëndrimin në superiore.
Kjo është hera e katërt që Hysen Dedja merr drejtimin e skuadrës së Vllaznisë; më parë ai ka qenë trajner i kësaj skuadre në periudhat 1996-98, 2002-2003 dhe 2005-2006. me këtë emërim të ri, Dedja kthehet te skuadra shkodrane pas 14 vitesh. Skuadra e fundit që ka drejtuar Hysen Dedja është Lushnja në sezonin 2017/2018.
Në karrierën e tij, Hysen Dedja ka mundur të fitojë një titull kampion me Vllazninë pikërisht në 1997-1998, ndërkohë që ka drejtuar edhe skuadrën e Bylisit si dhe atë të Teutë.
Hysen Dedja do të nisë aventurën e re me skuadrën e Vllaznisë ditën e enjte me ndeshjen çerekfinale të Kupës së Shqipërisë që skuadra shkodrane do ta luajë ndaj Teutës në stadiumin “Loro Boriçi”.