Rikthehen në funksion 1118 shërbime elektronike në e-Albania…

Shpërndaje

E-Albania është rikthyer në funksionalitet. Kryeministria ka njoftuar ditën e sotme se janë rikthyer në funksion 1118 shërbime elektronike nga 1225 që ofron në total platforma.

“Tashmë mund të gjenerohen sërish nga platforma digjitale: Dokumentet me vulë elektronike – certifikatat e gjendjes civile, vërtetimet tatimore, eksteraktet dhe certifikata e regjistrimit të biznesit, vërtetimet e papunësisë, certifikata e gjendjes gjyqësore (dëshmia e penalitetit)

Do të mund të aplikohet për: Regjistrimin në klasën e parë dhe të dhjetë të nxënësve; Shërbimet e regjistrimit të biznesit, etj.”, thuhet në një njoftim.

Por për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, portali e-Albania, për arsye të larta sigurie, do të bëhet funksional së shpejti.

Sipas Kryeministrisë, AKSHI së bashku me skuadrën e Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerët e “Jones Group International”, po vijojnë punën me intensitet të plotë për t’ju kthyer qytetarëve edhe:

Shërbimet e regjistrimeve dhe të ndryshimeve të pronarëve përfitues;

Vërtetimin e ndihmës ekonomike, pagesës së paaftësisë së kufizuar dhe kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social;

Për shërbimet e rezervimit të takimit për kryerje konsulte e ekzaminimi mjekësor;

Për listën e notave dhe vërtetimin e diplomës për studentet që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës;

Për shërbimet konsullore, për shqiptarët jashtë vendit;

Shërbimet e certifikatave të regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale;

Njehsimin e diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja;

Si dhe për kryerjen e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike.

“Duke falenderuar edhe një herë çdo qytetar, biznes, punonjës administrate, shtetas të huaj në Republikën e Shqipërisë, për durimin, kërkojmë mirëkuptimin në rast të ndonjë problemi me të cilin mund të hasemi, përgjatë këtij procesi e kësaj kundërofensive ndaj sulmit kibernetik, që s’ishe parë ndonjëherë më parë në vendin tonë. Sigurojmë edhe një herë gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijojmë punën deri në rikthimin në funksion të plotë të çdo shërbimi”, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit të Kryeministrisë.

Shpërndaje