Reshjet e shiut, MM: Hidrovorët nën kuotat kritike, strukturat në gatishmëri…

Shpërndaje

Ministria e Mbrojtjes Situata deklaroi se reshjet e rëna gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit, por situata paraqitet normale në të gjitha qarqet e vendit.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente, në Agjencinë e Mbrojtjes Civile reshjet e rëna gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit.

Agjencia e Mbrojtjes Civile ka vënë në dispozicion të bashkisë së Shkodrës mjete të kalueshmërisë së lartë dhe mjete ujore. Një mjet i kalueshmërisë së lartë dhe efektivë të FA janë angazhuar në ndihmë të banorëve në njësinë Ana e Malit, fshati Obot.

“Si pasojë e reshjeve të shumta orët e fundit aksi kryesor i kësaj rruge është bllokuar, duke e bërë të pakalueshme nga mjetet e vogla. Ndërkohë vijon tërheqja e ujit në disa sipërfaqe toke në Bërdicë, Guri i Zi e Velipojë. Punonjës të ARRSH janë duke punuar për pastrimin e dherave në akset Theth-Breglumi, Darragjat-Shirq, njësia administrative Dajç si dhe në rrugën e Lumit të Vlorës në vendin e quajtur ” Qafa e Pëllumbit”. Tërheqje të ujit ka edhe nga sipërfaqet në qarkun e Lezhës, në njësinë Balldren, ish-këneta e Torovicës, në zonën e Laçit, ish kënetën e Gjonëmit.

Sipas raportimeve hidrovorët punojnë normalisht, nën kuotat kritike. Kuotat e lumenjve Drin, Gjadër dhe Mat janë normale. Në fshatin Kishavec, bashkia Dibër janë evakuuar disa bagëti, për shkak të depërtimi të ujit nga përroi i fshatit, ndërsa po punohet për riparimin e dëmtimeve në urën e Çikut. Në fshatrat Toplane-Serme, njësia administrative Temal dhe në zonën e Vermoshit, punonjësit e OSHEE ndodhen në terren për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në këto zona”, thuhet në njoftim.

Ministria e Mbrojtjes informon se në të gjitha qarqet e tjera të vendit situata paraqitet normale.

Agjencia e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes është e gatshme t’u përgjigjet në çdo kohë kërkesave të pushtetit vendor, duke vënë në dispozicion të komuniteteve të gjitha kapacitetet e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje