Rektorja e re e universitetit të Shkodrës Suzana Golemi ka marrë një vendim i cili shkon në favor të një numri të konsiderueshëm studentësh. Të gjithë studentët të cilët kanë përfunduar nivelin e dytë master profesional nuk do të kenë më nevojë që të kenë të mbrojtur nivelin e gjuhës së huaj B1.
Deri më tani studentët e programit të studimit master profesional është dashur që të kenë të mbrojtur një prej pesë gjuhëve të Bashkimit Europian, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe spanjisht.
Pa gjuhën e huaj të mbrojtur studentët e masterit profesional e kanë patur të pamundur të tërheqin diplomën në universitetin e Shkodrës gjë e cila ka ndryshuar pas vendimit të fundit të rektores Suzana Golemi. Janë një numër i konsiderueshëm diplomash që studentët që kanë kryer masterin profesional nuk i kanë tërhequr për shkak se duhej të kishin të mbrojtur gjuhën e huaj ndërsa tani mund t’i tërheqin pa asnjë problem.