Rektori Gjuraj dhe Këshilli Studentor: Platforma e Ankesave gati për Studentët më 7 Prill…

Shpërndaje

Si pjesë e takimeve të rregullta mujore, Rektori Tonin Gjuraj priti në takim Këshillin Studentor për të diskutuar shqetësimet dhe sugjerimet e tyre, duke konfirmuar edhe një herë angazhimin e universitetit për një mjedis më transparent dhe gjithëpërfshirës.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte platforma e re online e ankesave, e cila do të bëhet funksionale më 7 prill në faqen zyrtare të Universitetit të Shkodrës. Kjo platformë synon të lehtësojë komunikimin midis studentëve dhe administratës duke ofruar një hapësirë të sigurt dhe të aksesueshme për të raportuar shqetësime të ndryshme.

Përmes kësaj risie, studentët do të kenë mundësinë të paraqesin ankesat e tyre në mënyrë të lirë dhe anonime, duke përfshirë raste të sjelljeve joetike, mitmarrjes apo problematikave të tjera që lidhen me pedagogët dhe administratën.

Këshilli Studentor shprehu optimizëm për këtë hap të rëndësishëm, duke theksuar se kjo platformë do të forcojë transparencën dhe llogaridhënien, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së arsimit në universitet.

Për më shumë informacione dhe për të aksesuar platformën, vizitoni faqen zyrtare të universitetit më 7 prill.

Shpërndaje