Vau i Dejës është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar për ata që adhurojnë natyrën dhe duan të eksplorojnë bukuritë e saj të pafundme. Që nga peshkimi, te shëtitjet me varka, mundësitë për të kaluar kohën janë vërtetë të shumta. Numri i turistëve, sikurse thonë operatorët turistikë, është shtuar shumë vitet e fundit, ndërsa ky vit sipas tyre ka shënuar një numër rekord të vizitorëve.
Drejtorja e Zyrës së Turizmit në Bashkinë Vau Dejës, Entela Kolaj, thotë se nga fillimi i vitit Vau Dejësin e kanë vizituar rreth 150 mijë turistë vendas dhe të huaj. Ajo na zbulon edhe arsyet përse ia vlen të vizitojmë këtë zonë.
Promovimi zonave turistike dhe rivitalizimi i ofertës turistike është një prej nismave që ka ndërmarrë së fundmi Bashkia Vau Dejës me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes projektit “Vau Dejësi si destinacion turistik” në partneritet me qendrën për promovimin e konkurueshmërisë.
Ndërkohë, Liqeni i Vaut të Dejës si dhe kodrat e shumta përreth, e bëjnë këtë zonë një atraksion jo vetëm historik e kulturor, por edhe natyror që nuk duhet humbur.